Të rinjtë e PDK-së: Rinia kosovare e meriton lëvizjen e lirë

Për të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës, është momenti i fundit që Bashkimi Evropian të pranojë Kosovën në gjirin e saj.

Ky është mesazhi që këta të rinj kanë zgjedhur të përcjellin sot, në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës.

Ata kanë zgjedhur sheshin ‘Nënë Tereza’ për të zhvilluar aksionin e tyre, duke treguar se shqiptarët gjithmonë kanë kontribuar për mbarë njerëzimin.

Donjet Bislimi, kryetar i Rinisë së Partisë Demokratike të Kosovës tha se në këtë aktivitet janë mbledhur të rinjtë nga të gjitha degët e PDK-së.

Bislimi tha se të rinjtë e Kosovës kanë potencial të madh, dhe se me lëvizjen e lirë mundësohet këmbimi i njohurive dhe u mundësohet të rinjve të Kosovës të japin kontributin e tyre.