Serbia

Të rinj serbë me fanella të Vuçiqit, shkruajnë grafite “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”

Muajve të fundit, në Serbi, Mal të Zi, por edhe në Kosovë, shumë qytete janë mbushur me grafite në gjuhën serbe “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

Por, ndonëse deri më tani ato janë bërë fshehurazi, i fundit i tillë është shkruar në qytetin Mladenovac të Serbisë, ndërsa janë kapur në kamerë edhe personat që e kanë shkruar atë.

Në videon e publikuar nga mediumi i pavarur serb N1, shihen dy të rinj serbë duke e vizatuar këtë mbishkrim në një mur të këtij qyteti.

Ata në fanellat e tyre kanë të shkruar emrin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

N1 shkruan se kjo ngjarje ka ngritur shumë pyetje, ndërsa në pyetjen e mediumit se çfarë lidhjesh kanë këta të rinj me partinë e Vuçiqit, SNS, nga kjo parti nuk kanë kthyer përgjigje.

Personi që i ka incizuar të rinjtë duke e shkruar parullën në mur, i ka pyetur: “Si ndodh që edhe në murin e varrezave shkruani parulla të tilla?”.

Ata i thonë: “Rëndësi ka mesazhi”.

Shkrimi, siç shkruan N1, është bërë disa ditë më parë dhe videoja po qarkullon nëpër mediat sociale.

N1 raporton se në Iniciativën e të rinjve për të drejtat e njeriut thonë se opinioni në këtë situatë të tensionuar duhet të marrë mesazh të qartë nga qeveria.

“Që mesazhe të tilla drejtpërdrejt, në këtë moment, prishin qetësinë dhe se në fakt ato krijojnë një konfuzion në opinion nëse ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes partisë në pushtet dhe djemve që vizatojnë gjëra të tilla. Por sigurisht që mendoj se duke heshtur, inkurajohen absolutisht veprime të tilla. Ata mund të heshtin sepse mund të pajtohen me ato mesazhe”, tha Sofija Todoroviq, nga Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut, transmeton Klankosova.tv.

Edhe të rinjtë që e vizatonin parullën heshtën kur u pyetën nëse do të shkonin në Kosovë.

“A do të niseshe ti për Kosovë? Çfarë të thotë mamaja?”, pyetet i riu serb nga personi që po incizonte.

“Nëse e fikni kamerën, edhe mund të ju them”, përgjigjet njëri prej tyre.

E Todoroviq thotë se e shqetëson fakti nëse përgjigja do të ishte pozitive. “Më shqetëson që tek këta të rinj çdo ditë e më shumë është i dukshëm momenti radikalizues ku Kosova është pika në të cilën më nuk ka diskutime”, deklaroi ajo.

Ndërkaq një banore e Mladenovacit sqaron:

“Ata që e kanë shkruar nuk shkojnë atje. Atyre s’u intereson Kosova, por vetëm e bëjnë punën me porosi dhe dëshirë të dikujt”.

Ndërkaq një i ri i këtij qyteti mendon ndryshe.

“Iu lumtë atyre që e kanë bërë këtë. Shumë mirë e kanë punuar, mendoj, kështu edhe duhet të bëhen grafitë normalë, e jo budallallëqe nëpër qytete”, thotë një i ri serb.

N1: A mendoni ju se ushtria duhet të kthehet në Kosovë?

“Po natyrisht”.

N1: A do të shkonit ju në Kosovë?

“Po, natyrisht”.

“Sikur ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhte nëse ushtria kthehet në Kosovë. Është situatë kur ne flasim për luftë. Kjo nuk guxon të jetë opsion në asnjë rast”, thotë Sofija Todoroviq.

N1 thotë se ky opsion, momentalisht është vetëm nëpër mure e dokumente. E thotë po ashtu se presidenti serb s’ka asgjë kundër kësaj.

Në një intervistë për transmetuesin publik serb në konstatimin e gazetarit se në tërë Serbinë po shkruhen grafitë me mesazhin “Ushtria po përgatitet për Kosovë”, Vuçiqi tha:

“Nuk është ashtu, por kur ushtria të kthehet në Kosovë. Është pak më ndryshe. Kur ushtria të kthehet në Kosovë është në pajtim me Rezolutën 1244”.

N1 thotë se Rezoluta është një, ndërsa realiteti krejtësisht ndryshe. Kështu, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë serbe, Vuçiqi, së fundmi, pas kërkesës së ShBA-së, e tërhoqi ushtrinë edhe nga kufiri me Kosovën.