Të punësuarit në familjen Rugova thonë se përmes Ukë Rugovës morën viza italiane pa aplikuar fare në ambasadë

Skender Halili, Sebahate Halili, Luar Loxha, Sami Baliu dhe Fidan Hasani, në cilësi të dëshmitarëve, kanë thënë se përmes ish-deputetit Ukë Rugova dhe familjes së tij, kishin siguruar viza shengen për periudha të ndryshme kohore.

Një gjë të tillë, ata e kanë deklaruar në gjykimin që po zhvillohet ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Hraqija dhe tre personave të tjerë, të akuzuar për krim të organizuar lidhur viza italiane, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Katër nga këta dëshmitarë, kanë thënë se vizat i kishin siguruar pasi që kishin punuar në familjen Rugova, ndërsa dëshmitari Baliu, ka deklaruar se vizën e kishte siguruar përmes vëllait të tij që kishte punuar me Ukë Rugovën.

Skender Halili ka deklaruar se që nga 1999, e edhe sot punon në familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova në cilësi të sigurimit, e që përmes kësaj familje kishte marrë vizë shengen italiane.

“Pasi që kisha nevojë për një vizë shengen kisha biseduar me familjen Rugova, ata ma kanë mundësu me marrë një vizë. Unë kom thanë se kom nevojë për me udhëtu jashtë edhe për një vizë shengen, pa marrë parasysh se në cilën ambasadë. Kom bisedu me Ukën e me Teutën dhe më kanë thënë se do të mundohen të bëjnë të pamundurën”, tha Halili.

Ai tha se dy fotografi dhe pasaportën e tij i kishte dorëzuar në një tavolinë që ishte në shtëpinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova, e që dikush nga kjo familje më pas i kishte marrë dokumentet e tij.

Halili tha se kishte plotësuar aplikacion për këtë vizë, mirëpo nuk kishte paguar asgjë, e as sigurimin shëndetësor, pasi që sipas tij, familja e Rugovës i kishte paguar të gjitha.

Sipas dëshmitarit, më pas atij i kishte ardhur përgjigja se ka marrë vizë shengen për Itali, e që i njëjti tha se nuk kishte qenë personalisht në ambasadë për të aplikuar.

Ai tha se nuk është i sigurt për sa kohë i ishte bërë viza, por tha se e din që për dy javë ose tri.

Sipas Halilit, pasaportën me vizë shengen nuk është në dijeni se kush ia kishte sjellë, por që është i sigurt se vizën e ka marrë.

Dëshmitari tha se e di si është procedura për aplikim për vizë, pasi që është në dijeni se duhet të sigurojë shumë dokumentet për një vizë.

“Unë personalisht nuk jom kanë në ambasadë, unë kom fol me Ukën, me Teutën, me krejt familjen për këtë punë”, tha Halili.

Halili në fund tha se pasi që kishte marrë vizën, nuk kishte udhëtuar, sepse nuk kishte pasur në ato momente mjete financiare..

“Unë kam bisedu me Ukën se i kom pyet edhe Teutën a ka mundësi me bo ni vizë me shku në Itali a në Gjermani, ata më kanë thënë se do të interesohen. Uka më ka thënë, Skender mujm me bo diçka për qatë kërkesën tane edhe ma ka lyp pasaportën”, tha dëshmitari.

Halili tha se nuk e konsideron vetën të dëmtuar. “Këta jon mundu me na bo mirë, kur them këta mënoj për Ukën”, ishin fjalët e Halilit.

Dëshmi të ngjashme ka dhënë edhe Sebahate Halili, e cila tha se në familjen Rugova kishte punuar si shërbyese e kafes për presidentin Ibrahim Rugova.

Ajo tha se vizë shengen kishte marrë para pesë vjetësh dhe atë përmes familjes Rugova.

“Që pesë vite kom marrë një vizë italiane shengen, pasi që unë kom punu në familjen Rugova. I thash Ukës a ka mundësi, tha po motra jem muj se të kemi si anëtare e familje, e për sigurim të kësaj vize, ai ma ka kërku vetëm pasaportën edhe dy fotografi, kurgjo tjetër edhe ni formular e kom plotësu vetë, e krejt kto i kom lanë mi tavolinë”, tha Halili.

Për këtë vizë, dëshmitarja tha se nuk kishte shkuar personalisht për të dorëzuar dokumentet dhe se nuk kishte paguar asgjë.

Sipas Halilit, viza kishte afat për një vit, ndërsa ajo e kishte shfrytëzuar për dy muaj kur kishte shkuar në Suedi.

“Këtë vizë e lypa veç  për me shëtit se dojsha me shku në Suedi”, tha dëshmitarja.

Halili tha se kishte udhëtuar përmes Shkupit në Suedi dhe se gjatë udhëtimit i kishin kontrolluar pasaportën, por gjithçka kishte qenë në rregull.

Ndërsa, dëshmitari Luar Loxha tha se kishte punuar si shofer në familjen Rugova, e që përmes Ukë Rugovës edhe ai kishte marrë vizë italiane.

Ai tha se i kishte thënë Rugovës se a ka mundësi t’i sigurojë vizë sepse i duhej të shoqëronte nenën e tij në Itali për arsye shëndetësore.

Loxha tha se me Ukë Rugovën nuk kishte kontaktuar direkt, por përmes shefit të sigurimit të kësaj familje, duke dorëzuar dy fotografi, certifikatën e lindjes dhe pasaportën.

“Viza ka qenë 6 mujore me 30 ditë shfrytëzim. E kom shfrytëzu këtë vizë, kam qenë në Itali me mamin se ishte keq me shëndet dhe jam kthy”, tha Loxha.

Sipas tij, ai vetëm e kishte dorëzuar nënën e tij në spital, e më pas ishte kthyer, sepse nuk kishte pasur nevojë të qëndronte më gjatë.

“Unë për besë sa kom punu në familjen Rugova më pas e kuptova se Uka munet mem ndihmu se ka pozitë të lartë në shoqëri, e tani e kom lut për vizë” tha Loxha.

Deklarim të ngjashëm kishte edhe një punëtor tjetër i familjes Rugova, Fidan Hasani, i cili tha se nga Ukë Rugova kishte siguruar vizë italiane, të cilën e kishte shfrytëzuar për të shkuar në Gjermani ku kishte qëndruar për tri javë, e më pas ishte kthyer.

Kurse, Sami Baliu, i cili po ashtu është dëgjuar në këtë seancë, tha se pasi që vëllai i tij, Rrustem Baliu, kishte punuar si truproje e Ukë Rugovës, i kishte ndihmuar atij që të siguronte vizë shengen.

“Shkurt e shqip Uka ma ka siguru vizën, përmes vllaut tim”, tha Baliu.

Gjykimi është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë të cilët janë ftuar për t’u dëgjuar nga ana e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK).

Ukë Rugova dhe të tjerët, në seancat e kaluara, ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ta.

Ndërkaq, në seancën e kaluar, ishte veçuar procedura ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ukë Rugova, ish-ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija si dhe tre të akuzuarve të tjerë, Izet Beqiri, Qefser Baholli, si dhe Florjan Petani, të cilët do të gjykohen ndaras nga të akuzuarit e tjerë.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.