Kishiniev

Të paktën tre të vdekur pas një shpërthimi në kryeqytetin moldav

Zyrtarët në Moldavi thonë se të paktën tre persona kanë vdekur pas një shpërthimi në një ndërtesë në kryeqytetin e këtij shteti.

Zyrtarët thanë se shpërthimi që ndodhi në orët e vona të 6 tetorit, ka shkatërruar disa banesa në një ndërtesë në Kishiniev. Ata besojnë se shpërthimi ka ndodhur nga një cisternë e gazit.

Në këtë shpërthim po ashtu janë plagosur gjashtë persona.

Transmetuesi publik Teleradio Moldova ka shfaqur fotografi dhe video nga vendi ku ka ndodhur shpërthimi, duke e cilësuar atë si “shpërthim të fuqishëm” në një ndërtesë banimi.

Zëdhënësja e shërbimeve të emergjencës ka thënë se disa banorë, në mënyrë të paligjshme, kanë ruajtur nëpër banesat e tyre bombola të gazit. Ndërtesa ku ka ndodhur shpërthimi nuk është e lidhur me fuqizuesin me gaz të qytetit.

Dëshmitarët kanë thënë se disa banorë kanë ruajtur bombolat e gazit në ballkonet e banesave të tyre.