Të paktën 60 të vdekur dhe 140 të plagosur nga sulmet pranë aeroportit të Kabulit

Deri më tani, të paktën 60 persona janë vrarë dhe 140 janë plagosur në sulmin kamikaz në aeroportin e Kabulit, sipas raportimeve nga “Wall Street Journal”, që citon burime mjekësore.

Pak më herët, një reporter i “New York Times” në Kabul, Fahim Abed, raportoi se të vdekurit janë të paktën 40, kurse të plagosurit 120.

Duke cituar një zëdhënës të talebanëve, Reuters raportoi të paktën 13 viktima, midis tyre edhe fëmijë, si edhe 52 të plagosur.

“Ka shumë të ngjarë që sulmi të jetë kryer nga Isis-K, shteti islamik i provincës afgane të Khorasan”, raportuan burimet britanike të Mbrojtjes për Sky news.

“Asnjë ushtar gjerman nuk u raportua të jetë plagosur në sulmin në Kabul”, shkroi “Bild on line”, sipas së cilës “tre anëtarë të marinës amerikane dhe disa ushtarë britanikë u plagosën”, raporton ATSh.

Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se nuk kishte të lënduar në kontigjentin turk të angazhuar në aeroport.

“Asnjë italian nuk u përfshi në shpërthim. Shpërthimi ndodhi në një zonë të largët nga vendi ku ushtria italiane po vepron për fazat e fundit të operacionit “Aquila”, për evakuimin e qytetarëve afganë”, mësohet nga Ministria e Mbrojtjes.

Një nga sulmet dyshohet se u krye nga një kamikaz, i cili hodhi veten në erë në një zonë të quajtur “kanali”.