Grevë

Të mërkurën në grevë punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik të UP-së

Jusuf Azemi nga Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës ka njoftuar se nga e mërkura (21 shkurt) të gjithë punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës e të Qendrës Studentore do të futen në grevë.

Ai ka shkruar se shkak i grevës është janë pagat e ulëta, e numri i grevistëve është rreth 250.

“Nesër me 21.02.2024 që nga ora shtatë e mëngjesit të gjithë punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës dhe Qendrës Studentore do të hyjnë në grevë për shkak të pagave të ulëta. Numri i grevistëve është rreth 250”, ka thënë Azemi.

Këta punonjës kanë zhvilluar edhe më parë grevë, duke kërkuar rritje të pagave. Ata kanë paralajmëruar vazhdim të saj deri në përmbushjen e kërkesave.