Të larguar nga Qeveria Haradinaj për korrupsion, të rehabilituar nga Kurti, Aliu dhe Durmishi

Vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës për t’ua shtuar kosovarëve edhe një barrë financiare prej 5 eurove me rastin e regjistrimit të veturave, me një tiketë ngjitëse, vazhdon të shkaktojë pakënaqësi në vend.

Ky vendim i marrë nga ministri Liburn Aliu dhe zëvendësi i tij, Hysen Durmishi, po shihet si diçka e aranzhuar, anipse Durimishi po vazhdon të arsyetohet se kinse e ka gjetur marrëveshjen e gatshme.

Mirëpo, dokumentet e publikuara dje, e thonë të kundërtën. Këto dokumente qartazi e saktësojnë se marrëveshja asnjëherë nuk ishte nënshkruar për tiketat ngjitëse dhe se ish sekretari Betim Reçica e kishte anuluar në tërë. Për këtë ishin njoftuar edhe kompanitë aplikuese, si dhe “Auto Kontroll Kosova”, të cilën tash MI-ja e shpalli fituese.

Procesi për tiketat ngjitëse kishte filluar në kohën kur sekretar i Ministrisë së Infrastrukturës ishte Nebih Shatri, ndaj të cilit në vitin 2020 ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Në aktakuzën e ngritur nga prokuroria thuhet se të pandehurit Nebih Shatri në pozitën e ushtruesit të detyrës së sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Kadri Krasniqi, si drejtor i departamentit të automjeteve në këtë ministri, në bashkëkryerje, me qëllim që të tjerët të përfitojnë, si dhe duke e shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare kanë tejkaluar kompetencat, përkatësisht nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.

Prandaj ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i Kodit Penal të Kosovës.

I njëjti person, pra Nebih Shatri vazhdon të jetë zyrtar i lartë në Ministrinë e Infrastrukturës, respektivisht drejtor i Departamentit të Automjeteve, Departament ky që ka inicuar edhe tikën ngjitëse.

I njëjti, pra Nebih Shatri, që vazhdon të punoi ende krah për krah me Liburn Aliun dhe Hysen Durmishin, ishte paguar nga kompania EuroLab, që mbanë monopolin në homologim.

Nebih Shatri, që është drejtor i Departamentit të Automjeteve në Ministrinë e Infrastrukturës, në vitin 2012 ishte paguar nga kjo kompani, sipas formularit për deklarimin e pasurisë.

1513 euro, Shatri i kishte deklaruar në rubrikën e të hyrave vjetore si pjesë e Grupit të ekspertëve për vlerësimin e automjeteve, burimi i të cilave ishte kompania EuroLab SHPK.

Shatri, edhe në vitin 2015 kishte deklaruar të hyra si kompensim për punë në komision, por për dallim, tani nuk ishte deklaruar burimi i tyre.

Në total, përjashtuar ato të vitit 2012, nga viti 2015 deri në vitin e fundit, të hyra për të cilat nuk i ka deklaruar burimin, në llogarinë e Shatrit kanë shkuar 24,780 euro.

Krah për krah me Liburn Aliu dhe Hysen Durmishin vazhdon të punojë edhe Nexhat Krasniqi, i cili mban pozitën ndër më të rëndësishmet në Ministrinë e Infrastrukturës, atë të shefit të Prokurorimit.

Krasniqi, i dënuar për korrupsion dhe i ndalur të punojë në institucione publike me vendim të Gjykatës Supreme, vazhdon të jetë në punë, anipse për të Lëvizja Vetëvendosje e kishte marrë në pyetje ish kryeministrin Ramush Haradinaj. VV-ja kishte kërkuar që ai të largohet nga puna, mirëpo tash i njëjti në qeverisjen e VV-së punon i papenguar.

Në punë dhe krah për krah me Liburn Aliun dhe Hysen Durmishin vazhdon të jetë edhe Izedin Bytyqi, ud i sekretarit të Përgjithshëm, njeri i LDK-së dhe i përfolur po nga LDK-ja për avullimin e 2.1 milionëve nga Ministria e Infrastrukturës. I shkarkuar nga ish ministri Arban Abrashi, Bytyqi tash duket se është rehabilituar nga VV-ja në pozitën kyçe në MI.

Këta tre persona të përfolur për korrupsion, të dënuar dhe me aktakuzë për korrupsion, janë rehabilituar nga Aliu dhe Durmishi, dersa ish sekretari Betim Reçica po përballet më aktakuzë.

Reçica i cili i kishte luftuar dukuritë e korrupsionit në Ministri të Infrastrukturës, duke nisur edhe me anulimin e tiketës ngjitëse, sot ka mbetur duke u ballafaqur me aktakuzë.