Një grup vendesh evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe vendet baltike, po shqyrtojnë mundësinë e nisjes së një iniciative për heqjen e presidencës së radhës të BE-së nga Hungaria, nëse Viktor Orbán vazhdon me të ashtuquajturat “misionet e tij paqeruajtëse” dhe pa asnjë koordinim me institucionet evropiane dhe qeveritë e shteteve anëtare.
Sot në mëngjes, në takimin e ambasadorëve të njëzet e shtatë në Bruksel, debutimi i diskutueshëm i presidencës hungareze do të jetë në qendër të diskutimit dhe një “paralajmërim i qartë” do t’i jepet përfaqësuesit të Budapestit.
Diplomatët evropianë e zbuluan këtë për “Süddeutsche Zeitung” dhe “Politico”.
Orbán kishte zemëruar tashmë partnerët e tij me vendimin për të kopjuar sloganin e famshëm zgjedhor të Donald Trump për ta bërë atë moton e presidencës së tij: Make Europe Great Again.
Por që kur mori drejtimin e BE-së më 1 korrik, ai ka nisur një sërë udhëtimesh, që synojnë, sipas tij, promovimin e një armëpushimi në Ukrainë, gjë që i ka lënë të gjithë të habitur.
Mbi të gjitha vizita në Moskë, ku Putin e priti me krahë hapur, por duke i thënë qartë se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kushtet e tij për një negocim të mundshëm, pra tërheqjen e plotë dhe parandaluese të trupave ukrainase nga provincat e pushtuara pjesërisht nga rusët.
Edhe nëse Orbánit i duhej të pranonte se nuk veproi dhe nuk fliste në emër të BE-së, ishte një puthje e vërtetë e këmbëve të Carit, e dyfishuar disa ditë më vonë nga një vizitë tjetër në Pekin e Xi Jinping, aleatit më të ngushtë të Putinit.
“Diplomacia paralele e Orbánit ndërkohë që ai mban presidencën e radhës – thotë një diplomat evropian – është një poshtërim për BE-në, sepse ngatërron rolet dhe kërcënon vendosmërinë dhe unitetin e treguar deri më tani nga Evropa në kundërshtimin e synimeve të politikave ekspansioniste të Putinit dhe mbështetjes për Kievin”.
“Nuk është parë kurrë – shton një tjetër – që një president aktual të shkojë nëpër botë duke thënë gjëra, qoftë edhe në cilësinë personale, në kundërshtim total me vendimet e Bashkimit Evropian”.
Takimi në mëngjes premton të jetë i nxehtë.
Të paktën pesëmbëdhjetë ambasadorë synojnë t’i përsërisin kolegut të tyre hungarez se sjellja e Orbánit është “e papranueshme” dhe se kryeministri hungarez do të duhet të përmbahet nga nisma të ngjashme në të ardhmen.
Hipoteza e “armës bërthamore”, pra heqja e presidencës nga Budapesti në mënyrë të parakohshme, natyrisht mbetet një skenar i fundit, absolutisht i paprecedentë në historinë e Bashkimit.
Por vetë fakti që përmendet dëshmon peshën e situatës.
Në nivel procedural, kjo është e vështirë por jo e pamundur: në fakt, do të nevojitej një shumicë e kualifikuar dhe e forcuar prej katër të pestat në Këshill, pra njëzet vende që përfaqësojnë së bashku të paktën 65% të popullsisë evropiane, për të vendosur t’i jepet fund një presidencën e radhës herët duke e transferuar atë në vendin tjetër, që në këtë rast është Polonia.
“Ne nuk jemi ende atje, por nëse Orbán do të insistonte, do të duheshin disa javë për t’i hequr nga duart lodrën e presidencës”, shpjegon Daniel Hegedus, nga Fondi gjerman Marshall.
Nuk është e sigurt që “i keqi” i Budapestit do të përkulet.
Sipas karakterit, para së gjithash.
Por mbi të gjitha sepse ndihet i fortë falë rrjetës shumë më të madhe që është duke endur dhe e cila, përveç ndërmjetësimeve të rreme me Putinin dhe përdorimit të paskrupullt të rolit të presidentit të BE-së, përfshin thirrjen tubuese të mbarë evropianëve – pikërisht në grupin e ri -Patriots, i cili la në hije ECR-në e Giorgia Melonit.
Ndoshta, në fund, heqja e presidencës prej tij mund të jetë e vetmja gjë e duhur për t’u bërë./AP







