Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, më 20 nëntor 2023 pritet të fillojë me gjykimin e parë në mungesë, ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq, i cili ngarkohet për krime lufte nga janari deri në maj të vitit 1999.
Për Aksiq, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte njoftuar më 4 maj 2023 se kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për krime lufte dhe se risia e këtij rasti është se procesi gjyqësor do të zhvillohet pa prezencën e të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”
Një gjë e tillë është paraparë dhe lejuar me Kodin e ri të Procedurës Penale Republikës së Kosovës (KPPRK).
Si është i rregulluar me KPPRK, gjykimi në mungesë të të akuzuarit?
Sipas nenit 303 të KPPRK-së, parashihet mbajtja e gjykimeve në mungesë dhe atë në rastet kur i akuzuari heq dorë vetë nga e drejta për të qenë i pranishëm në shqyrtimet gjyqësore.
Mirëpo, për një rrethanë të tillë parashihet që trupi gjykues nën gjykimit e të cilit gjendet çështja e caktuar penale, duhet të mbajë seancë dëgjimore për të vendosur nëse kërkesa e të akuzuarit për t’u zhvilluar procesi gjyqësor në mungesë të tij, është e bazuar.
Tutje, po në nenin 303, në paragrafin 7 thuhet se gjykimi mund të mbahet edhe në mungesë të të akuzuarit pa qenë fare prezent asnjëherë në çështjen penale ndaj tij, por se kjo mund të ndodhë vetëm kur prokuroria dhe gjykata të kenë shtjerrë të gjitha mjetet për sigurimin e të akuzuarit në procedurë.
Çka thotë paragrafi 7 i nenit 303 të KPPRK-së?
“7. Në rastet e veprave penale të përcaktuara në nenin 104 të Kodit Penal, gjykimi në mungesë mund të mbahet edhe pa u plotësuar kriteret e parapara në këtë nen për praninë e të akuzuarit, nëse gjyqtari i vetëm gjykues apo kryetari i trupit gjykues bindet se janë bërë përpjekje të arsyeshme për ta njoftuar të akuzuarin për shqyrtimin gjyqësor dhe për ta siguruar praninë e tij…”, përcakton ky nen.
Gjithashtu, ndër të tjera në këtë nen sqarohet se i akuzuari edhe pse mungon në procesin gjyqësor që zhvillohet ndaj tij, si i akuzuar domosdoshmërisht duhet të ketë të paktën mbrojtësin e tij të angazhuar gjatë tërë procedurës penale.
“….Në këtë rast, i akuzuari përfaqësohet nga mbrojtësi gjatë tërë procedurës penale, derisa aktgjykimi të merr formën e prerë. Nenet 11 dhe 56 të këtij Kodi në lidhje me mbrojtjen e detyrueshme zbatohen përshtatshmërisht”, përcaktohet më tej në këtë nen.
Andaj, në rastin konkret kur flasim për procedurën penale ndaj Akisq, nga PSRK por edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë është bërë me dije se kanë tentuar përmes të gjitha rrugëve ligjore të parapara me nenin 303, paragrafi 8, që të bëjnë sigurimin e të akuzuarit në procedurë, por që nuk kanë arritur.







