Të gatshëm dhe pa frikë, Nisma në zgjedhje pa koalicion

Përkundër që në zgjedhjet e 6 tetorit me vështirësi e kaluan pragun, Nisma Social Demokrate tani thotë se është e gatshme për zgjedhjet e reja, qoftë edhe të jetë e vetme në këtë proces.

Nisma Social Demokrate ka mbajtur takim sot me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Përfaqësues i Nismës në këtë takim, ishte Endrit Shala, i cili pas takimit është shprehur se fillimi i shkurtit do të ishte ideal për zgjedhje.

Nisma Social Demokrate në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, kishte hyrë në koalicion me AKR-në dhe PD-në dhe koalicioni i tyre pas rinumërimit të votave arriti ta kalojë pragun duke siguruar 6 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Gjersa, AKR-ja është e hapur për koalicion në këto zgjedhje, Nisma ende nuk ka vendosur për këtë.

Ish- deputetja nga radhët e Nismës Social Demokrate, Valdete Dushinca Bajrami, ka thënë për Ballkani.info, se ata janë të gatshëm për zgjedhjet e reja.

Sipas saj, Nisma është e gatshme që edhe vetë të shkojë në këtë proces, por, përsëri për këtë vendosin organet e Nismës.

“Nisma Socialdemokrate është e gatshme edhe për këto zgjedhje të reja, ashtu siç kemi qenë edhe në zgjedhjet e kaluar. Ndërsa, sa i përket çështjes së koalicioneve, Nisma është e gatshme edhe vetë të shkojë në këtë proces, por, prapë për këtë janë organet e Nismës do të vendosin shumë shpejt e që do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Bajrami./Ballkani.info./