“Të formalizohet statusi i Kishës Ortodokse Serbe”, çfarë thotë pika e 7-të e Planit Evropian për këtë çështje?

Mbrëmë në Bruksel është zhvilluar takimi i radhës i nivelit të lartë midis Kosovës dhe Serbisë. Në këtë takim, siç ka deklaruar Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq janë pajtuar se nuk duhen diskutime të mëtejshme për planin europian.

Madje, Bashkimi Evropian gjatë ditës së djeshme ka publikuar të plotë planin evropian në të cilin parashihet edhe rregullimi i statusit të Kishës Serbe.

Pika e shtatë e këtij plani thotë se të dyja palët duhet të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike në përputhje me kriteret e Këshillit të Evropës dhe praktikave evropiane sa i përket nivelit të vetë-menaxhimit për komunitetin serb dhe për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike.

Më konkretisht, palët pritet të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.

“Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me qeverinë e Kosovës.

Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, thuhet në nenin e shtatë të këtij plani, shkruan Paparaci.

Gjithashtu, vlen të theksohet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ishte i gatshëm për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje por që presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nuk pranoi.

Ndërkohë, në këtë marrëveshje, neni i dhjetë thotë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme nga dialogu në Bruksel.