Lojërat e fatit

Të fitosh… mjerimin! AFP: Ja përse Shqipëria po “delegjitimon” bastet

Nga nxitja e dhunës në familje dhe varfërisë, e deri te mbushja e xhepave të kriminelëve, dashuria e Shqipërisë për lojërat e fatit ka shkaktuar një sërë sëmundjesh sociale, në një nga vendet më të varfëra të Europës, shkruan AFP.

Por, duke nisur nga viti 2019, shteti ballkanik ka ndërmarrë një nismë mbarëkombëtare për t’i dhënë fund varësisë nga to, me shpresën se do të frenojë vuajtjet dhe dhimbjet që kanë pllakosur në dhjetëra familje.

Më 1 janar hyn në fuqi një ligj që do të mbyllë 4.300 pikat e basteve që kanë “mbirë” në thuajse çdo rrugicë lagjeje, në vendin prej vetëm 2.8 milionë banorësh. Një raport “tejet i lartë” ky prej gati një pikë bastesh për 670 banorë, shumë herë më shumë sesa raporti që shihet qoftë në shtetet e tjera ballkanike, e padyshim edhe në vendet më të zhvilluara të Europës Perëndimore, sipas gazetarit ekonomik, Klodian Tomorri.

Mbyllja e basteve do të prekë gjithashtu edhe bastvëniet “online”, sikurse do të kufizojë edhe vendndodhjet e kazinove, shumë prej të cilave ndodheshin deri më sot edhe afër shkollave, drejt hoteleve me 5 yje në resortet e licencuara turistike.

Për njerëzit e thjeshtë, lëvizja e qeverisë është më se e mirëpritur, edhe pse vjen me shumë vonesë. Arta, nënë 31-vjeçare e dy fëmijëve, është shprehur në një artikull të AFP-së se, korrikun e këtij viti bashkëshorti i saj humbi banesën, si pasojë e humbjes së një basti për ndeshjen Belgjikë-Francë.

“Ai vuri bast për Belgjikën, por në fakt, ajo që fitoi ishte mjerimi”, thotë Arta, e cila mbështetet tashmë vetëm në ndihmën sociale prej 100 eurosh në muaj për të rritur fëmijët e saj të vegjël.

Sipas një studimi të Universitetit të Tiranës, një në 4 bastvënës kanë tentuar të paktën një herë vetëvrasjen. Rreth 70 për qind të tjerë vuajnë prej stresit apo prej problemeve psikologjike.

“Kemi gjetur një lidhje të ngushtë mes dhunës në familje dhe bastvënies, gjë që ka bërë që shumë familje të përjetojnë kriza tej mase serioze”, thotë Iris Luarasi, drejtuese e një linje këshilluese për viktimat e dhunës.

Shumë njerëz mund të mos kenë shumë kohë që luajnë, por e bëjnë këtë të bindur se shumë shpejt do të mund të bëjnë një pasuri të tërë. Në fakt, ajo që ndodh realisht është futja në borxhe të pafundme, e ndonjëherë edhe në burg për shkak të grindjeve dhe dhunës ndaj familjarëve. Janë me dhjetëra familjet që janë divorcuar prej kësaj varësie shkatërrimtare.

Sipas juristes Vjollca Pustina, rreth 70 për qind e rasteve të divorcit të mbërritura në Gjykatën e Tiranës, vetëm brenda 2018-s, kanë qenë të lidhura me bixhozin. Qeveria thonë, ndërkohë, se qendra rehabilitimi do të hapen së shpejti, për t’iu ardhur në ndihmë bastexhinjve që do të detyrohen me ligj të shkëputen nga ky ves. Megjithatë, shqetësim mbetet fakti se këto qendra nuk do të jenë gati, në një të ardhme të afërt.

Industria e bixhozit është kritikuar gjithashtu për faktin se po “rrëmben” parà nga xhepat e familjeve të varfra, në një vend ku paga mesatare mujore është nën 300 euro. Sipas shifrave zyrtare, shqiptarët shpenzojnë 140-150 milionë euro në bastet sportive çdo vit, një shifër kjo që është thuajse sa 70 përqindëshi i shpenzimeve të një familjeje për kujdes shëndetësor. Megjithatë, nëse përllogarisim edhe bastet e paligjshme, atëherë shifrat reale thuhet të kapin rreth 700 milionë euro, sipas qeverisë.

Për kryeministrin Edi Rama, një tjetër objektiv është mbyllja e “rubinetit” që çonte parà për grupet e krimit të organizuar, që përfitonin nga kjo industri duke e shfrytëzuar atë për pastrim parash. Por, ai pranon se ligji i ri nuk do t’i japë fund luftës kundër bandave, që është në fakt një detyrë kyçe për qeverinë, e cila dëshiron nga ana tjetër të nisë bisedimet për anëtarësim në BE.

“Lufta do të vazhdojë, pasi kriminelët ndryshojnë lëkurë dhe strategji, por jo veprimtarinë”, është shprehur Rama në një intervistë televizive.

Disa pika bastesh sportive janë mbyllur që në dhjetor, ndërsa të tjera u përpoqën të fitojnë edhe “qindarkat” e fundit deri në mbylljen e këtij viti, sipas Artan Shytit, president i Federatës së Kompanive shqiptare të Basteve. Beteja e radhës do të jetë kontrolli i pikave ilegale, veçanërisht ato “online”. Shyti pranon gjithashtu për “AFP”-në se disa firma bastesh sportive “kanë nisur të zhvendosen në Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë, ku kanë pasur edhe filialet e tyre e ku mund të operojnë lehtësisht (online)”.

Shqipëria në fakt është përpjekur të reduktojë numrin e firmave të basteve edhe në vitin 2013, por politika dhe disa interesa speciale ndërhynë e penguan nismën. Tani, ligji i miratuar në tetor do të nxjerrë si të papunë rreth 8.000 njerëz.