Të enjten seancë e jashtëzakonshme për Ligjin e Sportit, nënshkrimet s’i japin deputetët e LDK-së dhe VV-së

Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së ka mbledhur nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme për të votuar ligjin për Sponsorizime në Sport.

Deputetët e Kosovës në seancën e fundit nuk kanë votuar amandamentin 5, që mundëson funksionalizimin e Ligjit për Sponsorizime, harmonizimin e tij me Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.

Megjithatë, pas dështimit të kalimit në seancën e fundit, tani propozuesi i amandamentit, Bekim Haxhiu ka arritur që të sigurojë nënshkrimet e 51 deputetëve për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje.

Seanca e jashtëzakonshme për amandamentin që mundëson funskionalizimin e Ligjit për Sponsorizime do të mbahet të enjten me fillim nga ora 10:00, ku edhe do të hidhet në votim, shkruan Ballkani.info.

Kështu ka bërë të ditur Haxhiu, i cili në llogarinë e tij në Facebook i ka publikuar listat me 51 nënshkrimet e deputetëve.

“Të enjten me 27.06.2019, në ora 10:00 rikthehet në votim Projektligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe votimi i amendamentit 5 të propozuar nga unë që mundëson harmonizimin me Ligjin për Sponsorizime dhe funksionalizimin e tij. Sot u siguruan 51 nënshkrime për thirrje të seancës së jashtëzakonshme, prandaj kërkoj mirëkuptimin e kolegëve deputetë që të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë për zhvillim të sportit, për të mirën e sportistëve tanë të cilët çdo ditë po na bëjnë krenarë”, ka shkruar Haxhiu.

Në listën e nënshkrimeve janë deputetët e pozitës, PDK-AAK-Nisma dhe ata të PSD-së, por jo edhe deputetët e LDK-së dhe të Vetëvendosjes. /Ballkani.info/