Banjskë

Të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë iu vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq – të dyshuar për sulmin terrorist të ndodhur më 24 shtator të këtij viti në Banjskë të Zveçanit, iu është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që të pandehurve V.T., B.S. dhe D.M., iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, ka thënë Gashi.

Tre të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë, gjendën në masën e paraburgimit që nga 26 shtatori i këtij viti.