Të dyshuarit për vrasjen e policit malazez i kërkon edhe policia e Shqipërisë

Drejtoria e policisë malazeze tha se ka identifikuar personin, i cili dyshohet se vrau të dielën oficerin e policisë, Millutin Llekoviq, në Igallo të Malit të Zi.

Policia tha se ka identifikuar edhe dy persona që kanë qenë me autorin e dyshuar të krimit.

Të tre ata u dërguan në paraburgim në Mal të Zi.

Sipas policisë, të njëjtit janë shtetas të Shqipërisë, të cilët ky vend i kërkon nga viti 2018 për veprat penale: vrasje me dashje, vrasje në tentativë, kërcënime dhe mbajtje të paligjshme të armëve dhe municioneve.

Policia po ashtu sqaroi se Llekoviq, të dielën në Igallo, ka hasur në këta tre persona, pa dokumente identifikimi, por që kanë thënë se janë nga Kosova.

Duke i dërguar në stacion policor, njëri prej tyre, nga ulësja e pasme e makinës së policisë ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar Llekoviqin.

Polici ka vdekur në spitalin në Risan.

Më pas, tre shtetasit e Shqipërisë kanë bërë përpjekje të kalonin kufirin me Kroacinë, ku edhe janë arrestuar.

Bashkë me autorin, mësohet se janë arrestuar edhe Nure Hasanaj 67 vjeçe (e ëma) bashkë me Lulëzim Hasanajn 49 vjeç (i vëllai).

Luan Hasanaj, 43 vjeç nga Malësia e Madhe është shqiptari i arrestuar si autor i vrasjês së policit në Malin e Zi. Policia Malazeze, ka zbardhur emrat e tre të arrestuarve për ngjarjen në fjalë, nëna shqiptare me dy djemtë, dhe 43-vjeçari dyshohet të jetë personi që shkrepi këmbëzën.