Kukës

Të dielën votohet për kryetar të Kukësit, pas dorëheqjes së Safet Gjicit

Të dielën e 24 shtatorit do të përsëriten zgjedhjet në Kukës, ku kanë të drejtën e votës 45,946 zgjedhës.

KQZ ka organizuar 74 qendra votimi, ku identifikimi i votuesve do të kryhet në mënyrë elektronike me pajiset digjitale, ndërsa procesi i votimit dhe i numërimit në metodën tradicionale.

Kur në 14 maj morën pjesë në këtë zonë zgjedhore 23,404 kuksianë, me interes pritet pjesëmarrja e zgjedhjeve të pjesshme në këtë bashki ku kandidojnë socialisti Albert Halilaj dhe demokrati Emri Vata.

Në ditën e fundit të prezantimit të programeve elektorale, ethet e garës janë shtuar për PS-në dhe koalicionin Bashkë fitojmë, përjashto PD-në e vulës e cila është në heshtje në këtë proces zgjedhor.

Partia Demokratike e Lulzim Bashës i ka lënë terren të lirë Sali Berishës në zgjedhjet e Kukësit, duke mos pasur kandidat në garë dhe pa shfaqur mbështetje për demokratin e foltores, Emri Vatën.

Kjo frymë përçarjeje po mbyll edhe fushatën e opozitës në ditën e fundit të saj, në veri të vendit.

Në faqen zyrtare të Partisë Demokratike, veprimtaria e kandidatit të Berishës nuk pasqyrohet, por është publikuar qëndrimi i kësaj force politike që nuk e ka fokusin të zgjedhjet e kryetarit të ri të Kukësit, por te riorganizimi i degës së PD-së në Kukës, duke ngritur pretendime se ka një marrëveshje të fshehtë mes partive për fituesin.

“Kuksianët meritojnë një alternativë që do t’u shërbejë atyre dhe jo gara të paracaktuara nga oligarkët në kurriz të demokratëve”, shkruhet në postimin e tyre në Facebook.

Mirëpo, humbja e pushtetit vendor në Kukës prej skandalit intim të Safet Gjicit, ka sjell angazhim të shtuar nga PS për të rimarr karrigen e kryetarit duke vazhduar me takimet elektorale edhe në orët e fundit të mbylljes së fushatës.

Ndërsa kandidati i koalicionit BERISHA-META po përdor disfatën e socialistëve, duke kërkuar votën e kuksianëve me thirrjen “ti kthejmë dinjitetin Kukësit”. /Tch