“Të dënuar për plagosje, drogë e prostitucion” Rama nxjerr dosjet e pronarëve të basteve

Kryeministri Edi Rama ka folur në aulën e parlamentit teksa pritet që maxhoranca të mbyllë të gjitha pikat e basteve duke kaluar nismën e propozuar nga kreu i qeverisë.

Por gjatë fjalës së tij kryeministri ka treguar disa nga akuzat dhe dënimet që shumë pronarë të basteve kanë marrë ndër vite nga drejtësia shqiptare dhe më tutje. Rama nuk ka dhënë emra, por ka rreshtuar këto krime që sipas tij janë kryer nga pronarët e basteve:

“I dënuar për pengmarrje, plagosje, i dënuar për shkatërrim prone e prodhim e mbajtje pa leje i lëndëve plasëse, trafik ndërkombëtar droge e shfrytëzim prostitucioni. Këto janë skedat penale të pronarëve të kompanive të basteve.

Personazhe të një bote që pak ka të bëjë me ligjshmërinë dhe mbarëvajtjen e shoqërisë. Në një biznes i cili sic e nënvizoi më së miri me gjuhën e fakteve kryetari i komisionit të ekonomisë, u transformua në hapësirën e pakufijshme të përfitimit të paligjshëm deri në vitin 2013.”-tha Rama.

Kryeministri ka pranuar nga ana tjetër se qeveria e mandatit të tij të parë ka dështuar në goditjen dhe mbylljen e plotë të industrisë së basteve. Rama tha se nuk është e vërtetë se pikat e basteve janë shtuar, pasi sipas tij deri dje këto pika kanë qenë të jashtëligjshme.

“Tamam ashtu sic e theksoi Braçe, është e pavërtetë ajo cka është trumperuar me të madhe se pas zhvillimit të operacionit fundi i marrëzisë, marrëzia është zhvilluar ende më në kuptimin e marrjes së përmasave më të mëdha. E kundërta është e vërtetë, që 5 mijë pika të paligjshme operonin asokohe, qindra sallone të paligjshme operonin asokohe, qindra e qindra miliona lëviznin jashtë të gjihë kanableve të rregullit e ligjit.

Ajo që ne bëjmë sot është kundërpërgjigja e duhur në emër të një shoqërie të prekur seriozisht nga kjo sëmundje… pikërisht për shkak se ka qenë i tëri jashtë kontrollit dhe duarve të vende që e garantojnë këtë veprimtari, që janë duart e shtetit.

Nga ana tjetër, kemi qënë këtu në këtë sallë kur kemi bërë përpjekjen e parë për të ndaluar kazinotë elektronike dhe jemi të gjithë të vetëdijshëm se nuk ja dolëm dot të votojmë në bllok qysh atëherë, por bëmë një kompromis në këndvështrimin tim të keq.”-theksoi Rama.

Kreu i qeverisë më tutje është munduar që t’i japë një shpjegim pyetjes se përse ai vendosi papritur që të mbyllë të gjitha bastet në vend.

“Pak nga pak u krijua vetëdija e qartë se vendimi që morëm ishte i paplotë. U krijua bindja se edhe bastet duhet ti bashkëangjiteshin kazinove dhe se historia duhet të marrë fund. 60% e lojtarëve aktivë e kanë nisur lojë nga 10 deri në 15 vjeç. Kjo mjafton pë të qenë të bindur se ky vendim nuk është një vendim i PS për socialistët, por një vendim se asnjë arsye normale nuk mund ta mbante në këmbë këtë fenomen, përveçse PD-së që është jashtë kësaj salle.

73% e lojtarëve te fatit pohojnë se përjetojnë stres dhe situata nervozizmi që i nxjerrin jashtë kontrollit dhe për këtë nuk ka nevojë të kërkojmë gjatë, por mjafton të pyesim gratë dhe vajzat.”-tha Rama.