Tensione

“Të çojmë në burg”, “Mburravec”, “Standardi si me Gjuriqin”: Posterat luftëndjellës prodhojnë përleshjen e radhës

“Komandant suprem, po të presim”.

Me këtë mesazh luftëndjellës nisi e diela e fundit e qershorit ku në veriun e banuar me shumicë serbe të Kosovës ishin ngjitur posterë me fotografi të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, teksa parakalonte para Ushtrisë së Serbisë.

Rasti u hap menjëherë për “nxitje të urrejtjes” pas konsultimit të Policisë së Kosovës me Prokurinë e Shtetit, konfirmoi me mëngjes Veton Elshani për media; derisa hetimet për ndriçimin e rastit u tha të jenë duke u zhvilluar.

Posterët u hoqën menjëherë nga policia kosovare.

Me një gjuhë të ashpër – për nga shprehjet edhe të pazakonshme – u lajmërua Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, për çka njoftoi se po qe se – në këtë rast i ashtuquajturi ‘komandant’ në poster – Aleksandar Vuçiq ia mësyen të hyjë në Kosovë pa leje atëherë e prej qelia.

Sveçla e kërcënoi direkt me burgosje Vuçiqin, e ku madje tha se pastaj poster-vendosësit mund ta vizitojnë në burg “ku ai ka tashmë disa miq të tij”.

I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, shkroi Sveçla.

Petar Petkoviq – i ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur ‘për Kosovën’ në Qeverinë e Serbisë – reagoi i mllefosur në platformën sociale “X” duke e quajtur Sveçlën “mburravec të rrjeteve sociale” dhe të “frikësuar nga një poster me fotografi të Aleksandar Vuçiqit”.

Së pari Kurti nuk mundi të takohet në tryezë me Vuçiqin dhe tash Sveçla madje ka frikë edhe nga një poster me fotografinë e Aleksandar Vuçiq që dikush e paska vendosur, sa që edhe kërcënon të arrestojë. E vetmja çka mund të bëjë ai është të mburret në rrjete sociale”, ka shkruar Petkoviq.

Të drejtë Sveçlës i dha ish-kryeinspektori i Agjencionit Kosovar të Inteligjencës, tash analist i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, i cili tha se në rastin dhe kontekstin në fjalë Vuçiqi do të duhej arrestuar porsi kur më 2018 Marko Gjuriqi, tash Ministrë i Punëve të Jashtme i Serbisë.

Standardi është vendosur qysh atëherë!”, shkroi prerazi Ramadani. Ky i fundit e dha të rëndësisë së madhe atë që Serbia “duhet disiplinuar” për sigurinë rajonale.

Ministri i Punëve të Brendshme ka të drejtë. Nëse Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, hyn pa leje në Kosovë, nuk ka asnjë arsye të trajtohet ndryshe, përpos si shkelës i ligjeve dhe marrëveshjeve në fuqi”.

E pati provuar Marko Gjuriq më 26 mars 2018, pra para 6 vitesh! Standardi është vendosur qysh atëherë! Pra, duhet të ndiqen procedurat ligjore. Boll më me provokime, qoftë edhe përmes posterëve nëpër rrugë! Serbia duhet disiplinuar për sigurinë rajonale!”, shkroi në një reagim Burim Ramadani.