Pas një karriere të gjatë dhe të lavdishme me FC Basel, ish-mesfushori i kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka, ka vendosur të nisë një kapitull të ri në jetën e tij profesionale. Ai është prezantuar zyrtarisht si lojtar dhe trajner i ri i FC Dardania Basel, një klub që garon në Ligën e Katërt të futbollit zviceran.

Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shprehur entuziazmin për ardhjen e një figure ikonike si Xhaka.

“Me krenari dhe respekt të madh, e mirëpresim në mesin tonë një nga figurat më të mëdha të futbollit shqiptar – Taulant Xhaka dhe ndihmës-trajnerin Argjend Turkaj. Prania jote nuk është vetëm një forcim për skuadrën, por edhe një nder për gjithë komunitetin tonë,” thuhet në deklaratën e klubit FC Dardania Basel.

Ky angazhim përfaqëson më shumë se një lëvizje sportive. Për Taulant Xhakën, ky është një rikthim tek rrënjët dhe një shprehje e përkushtimit për të ndihmuar komunitetin shqiptar në Zvicër. Ndërkohë për Dardaninë, ky është pa dyshim një nga zhvillimet më të mëdha në historinë e klubit.