Taulant Balla, Sali Berishës: Kur Rugova bënte rezistencën ti e furnizoje Millosheviqin me naftë

Ndarja e territoreve përmes një marrëveshje Kosovë- Serbi është kthyer në një ndër fokuset e debatit në parlamentin shqiptar, edhe pse ende në kuvend dhe zyrtarisht, kryeministri i Shqipërisë ende nuk e ka dhënë pozicionin e tij në lidhje me debatin.

Sot në kuvend dhe në mungesë të Ramës, ish kryeministri Sali Berisha është përplasur për Kosovën me kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla.

Në fjalën e tij Berisha tha se Rama është pozicionuar qartësisht pro politikës së Beogradit për të arritur më në fund që Serbia të bëhet e madhe, duke i marrë territore Kosovës. Berisha e ka rradhitur Ramës si njërin ndër “argatët” kryesorë të politikës serbe, duke thënë se copëtimi i Kosovës do të hapte kutinë e pndorës dhe do të bllokonte automatikisht procesin e integrimit.

Me Berishën replikoi Taulant Balla, i cili gjatë fjalës së tij nuk u shpreh qartë, nëse PS është pro apo kundër një marrëveshje me shkëmbim territoresh, duke mbajtur kësisoj po të njëjtën linjë si kryeministri i vendit, i cili ende nuk e ka bërë të qartë pozicionin e tij.

Debati Berisha- Balla:

Berisha: Zografi i dytë ka marrë përsipër të bëjë tregti territoresh në Kosovë me argatët e Beogradit në Prishtinë. Lexoni një intervistë të Ministrit gjerman për Europën, është socialdemokrat, lexoni se çfarë thotë dhe çfarë çmimi ka Shqipëria që përfshihet në këtë aferë. Por Edi Rama duke mbyllur të gjitha shtigjet tani e komandon këshilltari i tij, ndërlidhësi me Vuçiç.E dëgjuat këshilltarin e Ramës që shqiptonte sllavisht Merkelin, thoshte ka marrë fund. Se ka dështuar. Janë fjalët e Ramës këto të gjitha.

Asgjë nuk kërcënon më shumë ecurinë tonë drejt Europës se aventurat e argatëve të Beogradit për karriget e tyre. Kemi qenë, jemi dhe mbetemi të vendosur për marrëveshje, e mbështesim fuqimisht por pa copëtim të territoreve.

Copëtimi i territoreve hap “kutinë e Pandorës”, sjell bllokim automatik të procesit të integrimit. Rama po bëhet sherri i Ballkanit dhe faturën e paguajnë shqiptarët. Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin problemet si dy shtete të pavarura, si dy shtete që shohin të ardhmen europiane dhe jo mbi bazën e argatëve që nuk kanë atdhe, nuk kanë ideale, e argatëve që janë skllevër të dosjeve të së shkuarës së tyre. Ata janë armiq të egër të shqiptarëve, të paqes, stabilitetit në rajon.

Balla: E mbylle kohën tënde me shumë pika të zeza, por një prej tyre është sabotimi në mënyrë të paimagjinueshme që i bëre pavarësisë energjitike të Kosovës duke bllokuar projektin e rëndësishëm të interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës.Ti Sali e bllokove, u desh të vinim ne në 2013 dhe ta zhbllokonim.

Sa herë që Kosova ka qenë në një moment të rëndësishëm historik gjithmonë ke qenë ti që e ke sabotuar. Kur Ibrahim Rugova bënte rezistencën ti e furnizoje Sllobodan Millosheviçin me naftë Sali, kur serbët kryenin genocide në Bosnje ti furnizoje me tuba përmes liqenit të Shkodrës makinerinë ushtarake të Serbisë.

Kur gjithë klasa politike shqiptare edhe me Ilir Metën, PS sigurisht në krye, mbështeste marrëveshjen e Rambujesë që ishte fillesa e pamvarësimit të plotë të Kosovës, ti ishte i vetmi politikan kundër. Teksa u çlirua Kosova, me porosi të forcave aleate vetëm Sali Berishës nuk i lejohej të shkonte në Kosovë.

Mos cito gabim Michael Roth.Pozicioni zyrtar i Shqipërisë, më së fundmi dhe Meta është në këtë pozicion, Shqipëria ashtu si SHBA, BE dhe Gjermania mbështesin terësisht dialogun mes shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës me vendin fqinj, Serbinë. Ky dialog i ideuar dhe drejtuar nga Mogherini ka krijuar këtë instrument kaq të rëndësishëm që jo vetëm sjell paqe dhe stabilitet në rajon por na çon në rrugën pa kthim edhe të njohjes nga Serbia, pse jo dhe nga Rusia.

Berisha: Parafolësi është një nga faktorërt kryesorë të bllokimit të hapjes së negociatave me udhëtimin që ka bërë 58 herë me Edmond Begon dhe e njeh gjithë Europa tashmë me këtë mbiemër.

Lidhja energjitike prej 2 vitesh mbahet peng nga Aleksandër Vuçiç, miku i shtrenjtë i Edi Ramës por në këtë parlament akuzohet njeriu që garantoi projektin, financat, bëri dhe tenderin dhe e la të gatshëm fillimin e punimeve, Sali Berisha. E bëri në emër të Vuçiçit.

Sa i përket Bosnjes, Bosnja nga qeveria shqiptare dhe Kroacia kanë marrë gjyle dhe barut kundër serbëve. Sa i përket tezave të argatëve edhe njëherë them se loja që bën Edi Rama për karrigen e tij përbën një kërcënim të madh serioz për sigurinë kombëtare dhe është fund e krye lojë në favor të Serbisë së Madhe.