Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, në konferencë të përbashkët me homologun e tij nga Unioni i Komoreve, Suef Mohamed-El-amin, e ka prezantuar dokumentin për tërheqjen e njohjes për pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Kështu raportojnë mediat serbe.
Për këtë çështje kishte folur në mëngjes herët Daçiq, duke thënë se së shpejti do të bëhet edhe shteti i dhjetë që do ta tërheq njohjen e Kosovës.
Në një nga pikat e dokumentit thuhet se ky shtet revokon njohjen për Kosovën, deri në gjetjen e një kompromisi përfundimtar ndërmjet dy shteteve.
“Si rezultat, shfuqizon njohjen e Kosovës, me qëllim që të lejojë të dy palët të arrijnë një zgjidhje të drejtë politike rreth statusit të Kosovës”, thuhet në dokumentin e prezantuar në shkronja çirilicë.

Me këto hapa destruktiv të Serbisë është hapur edhe më shumë “lufta” ndërmjet dy shteteve. Si kundërmasë ndaj kësaj sjellje kriminale të Serbisë, Kosova dje ka ndërmarrë masa duke vënë sanksione 10 për qind ndaj të gjitha mallrave që hyjnë në Kosovë nga shteti serb.
Kjo i ka tërbuar politikanët në Beograd, por befasisht edhe Bashkimin Evropian.
Mbetet të shihet se cilat do të jenë reagimet e ardhshme të të dyja palëve. /Ballkani.info/






