Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari, ka ftuar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin, të bëhet pjesë e garës presidenciale.

Taravari i ka bërë ftesën Ahmetit përmes një postimi në ‘Facebook’, duke kërkuar që “të mos bëjë propagandë”.

Kjo, pasi që Ahmeti nëpër intervista ka përmendur mundësinë e kandidimit për president të Maqedonisë së Veriut.

“Propaganda e BDI-së prej kur shpalla kandidaturën për President njëherë thotë se do dali Ali Ahmeti si kandidat, njëherë tërhiqet…”, ka shkruar ai në ‘Facebook’.

“Unë e ftoj hapur z.Ali Ahmetin të garojmë dhe le të zgjidhni ju se cili ju përfaqëson më shumë e më mirë!”, vijon postimi i tij.

Taravari është ftuar në Zyrën e Kryeministrit nga kryeministri Albin Kurti së fundmi. Aleanca opozitare e shqiptarëve kanë thënë se ‘de facto’ kanë përkrahjen e Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare.