Tali: Aspak s’po merremi me problemin e idares që na e shkaktoi pandemia, opinioni është involvuar në një lojë politike

Këshilltari i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit, Driton Tali ka deklaruar se problemet kryesore që momentalisht i ka vendi ynë janë ato ekonomike.

Tali përmes një shkrimi në Facebook thotë se është shqetësuese se i gjithë opinioni është involvuar në një lojë politike, që po bëhet për interesa të disa politikanëve.

“Shumë pak, për mos të thënë aspak, jemi duke u marrë me problemin e “idares” që na ka shkaktuar kjo pandemi. Problem që tashmë kemi filluar ta ndiejmë, dikush më shumë dikush më pak. Natyrisht, më shumë ata që janë të involvuar në industritë shërbyese dhe prodhimet jo ushqimore. Por shumë shpejtë do ta ndiejmë të gjithë, sepse industritë ndikojnë njëra në tjetrën. Kësisoj, ekonomia jonë është të shumtën e bazuar në industritë shërbyese, dhe poashtu remitanca nga mërgata luan rol shumë të madh. Siç jemi dëshmitar tashmë fuqia blerëse ka ra tmerrësisht shumë si rezultat i (vet) izolimit të konsumatorëve. Konsumatorët konsumin e tyre e kanë reduktuar në produktet bazike”, thotë ai, teksa shton se ky trend i ka atakuar të gjitha llojet e bizneseve.

“Kjo “kohë relative” të shpresojmë se nuk do të jetë “relativisht e gjatë”. Prandaj më e mençme është që analistēt të diskutojnë për këtë sfidë që po na pret (helbetna dikush mos po jep ndonjë ide) se sa “t’ua mbajnë zhagun” politikanve tajkunë, të cilët këtë krizë ekonomike, që po na kërcnon, garant do ta kalojnë shumë më lehtë duke ju falemderuar parave tona që na i kanë marrë”, thotë Tali.