Një aksident i rëndë i ndodhur para dy ditësh, në orët e para të mengjesit të së martës, në mes të veturës së Policisë së Kosovës, dhe veturës së një kompanie taksie ka lënë te lënduar 5 policë dhe në gjendje më të rëndë, shoferin e taksisë, shkruan Ballkani.info.

Burime të Ballkani.info njoftojnë se shoferi i një kompanie private të taksive që operon në Prishtinë, është A.Ll, 68 vjeç.

Sipas informacioneve që posedon portali Ballkani.info, A.Ll është në koma dhe duke luftuar për jetën tash e dy ditë.

Siç mëson Ballkani.info A.Ll ishte ish-ushtar i UÇK-së.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës dhe ka bërë me dije se në aksident janë përfshirë dy vetura.

“Të martën rreth orës 04:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Dëshmorët e kombit në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku.

Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona.

Me rastin po merret njësiti i trafikut rrugor”.