Takimi Kosovë-Shqipëri/ Sot nënshkruhen 5 marrëveshje mes ministrive të Kulturës

Në vazhdën e takimeve mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, sot do të takohen ministritë e Kulturës, të të dy shteteve, raporton Indeksonline.

Takimi do të mbahet në Teatrin Kombetar të Operas dhe Baletit në Tiranë, teksa në të do të nënshkruhen pesë marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Në takimin dypalësh mes dy delegacioneve kryesuar nga ministrat Elva Margariti dhe Hajrulla Çeku, do të nënshkruhen marrëveshjet si në vijim:

1.Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Bibliotekës Kombëtare e Shqipërisë dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”;

2.Protokolli i bashkëpunimit midis Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit, Ansamblit Popullor (TKOBAP) të Republikës të Shqipërisë dhe Operës, Filharmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës të Kosovës;

3.Marrëveshje bashkëpunimi midis Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës;

4.Marrëveshje bashkëpunimi midis Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia dhe Parkut Arkeologjik Ulpiana;

5.Marrëveshje bashkëpunimi mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.