Ambasadori amerikan

Takimi i Kurtit me Grenell: Mungesa e marrëveshjes me Serbinë, pengesë për investimet e huaja

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka takuar ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Në njoftimin e bërë nga Lëvizja Vetëvendosje thuhet se, ambasadori Grenell ka uruar VV për vendin e parë në zgjedhjet parlamentare.

“Ambasadori Grenell fillimisht uroi udhëheqësit e VETËVENDOSJE!-s për vendin e parë në zgjedhjet parlamentare të së dielës së 6 tetorit dhe dëshironte të dëgjonte mendimin e qëndrimin e tyre për mundësitë e një marrëveshje me Serbinë, para se ai të udhëtonte për Beograd. Grenell theksoi që mungesa e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë është pengesa kryesore e investimeve të huaja në ekonominë kosovare”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se Kurti ka falënderuar ambasadorin Grenell për mbështetjen e SHBA-së për Kosovën.

“Kurti shprehu falënderimin e tij për rolin dhe mbështetjen e ShBA-ve për Kosovën si në luftë ashtu në paqe dhe gatishmërinë e tij që si kryeministër i ri i Kosovës të thellojë bashkëpunimin me ShBA-të. Ai u pajtua me Ambasadorin Grenell që Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe investime prej jashtë, por për këtë gjë problem janë sidomos korrupsioni i lartë në qeveri që krijon pasiguri e cila tremb bizneset, varfëria e përhapur në popullsi që e mban të ulët kërkesën agregate si dhe qasja e vështirë në financa për bizneset për shkak të kamatave të larta të kredive në banka. Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti tha që përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor për të.

Në fund të këtij takimi të hapur e konstruktiv, bashkëbiseduesit u pajtuan që sa më shpejtë të krijohet qeveria e re në Kosovë dhe se do të vazhdojnë komunikimin e shpeshtë e të rregullt”.

Ambasadori Grenell ka takuar gjatë ditës edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

loading…