Ka përfunduar takimi në mes tre liderëve institucional, kryeministrit Ramush Haradinaj, presidentit Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli me ambasadorin amerikan Philip Kosnett, asnjëri nga ta nuk është prononcuar për media dhe nuk është bërë e ditur se cila ka qenë tema e këtij takimi.
Aty ishin edhe liderët e tjerë të koalicionit qeverisës, Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli.
Takimi ka filluar në orën 9 të mëngjesit, ku vetëm një orë më vonë nga takimi ka dal ambasadori amerikan Philip Kosnett. Por, takimin e kanë vazhduar partnerët e koalicionit qeverisës me presidentin Thaçi. Takimi mes tyre ka përfunduar në orën 11 e 15 minuta, por askush nuk ka dhënë deklarata për media.
Gjatë kohës sa është mbajtur takimi mediat nuk janë lejuar të futen as edhe në objektin e Kuvendit të Kosovës. Kujtojmë se ditën e djeshme ka pasur një takim ndërmjet koalicionit qeveritar, takim ky pas së cilit Qeveria përmes një kumtese ka pohuar se koalicioni është stabil dhe funksional, pavarësisht deklaratave kundërthënëse të partnerëve lidhur me taksën 100% ndaj Serbisë.
SHBA ka kërkuar disa herë heqjen e taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës, kurse kryeministri Haradinaj ka vazhduar të mbrojë nevojën për taksë. Mospajtimet brenda koalicionit se si duhet vepruar në këtë rast, dyshohet se kanë shkaktuar krizë në koalicionin qeverisës.











