Takim rastësor apo për të ndikuar në vendim? Kryeinspektori në Gjykatën ku do të vendoset për fatin e tij

Para pak ditësh, kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, është takuar me kryetarin e Gjykatës së Apelit, Valon Totaj.

Takimi është konfirmuar nga njoftimi për media që ka lëshuar Gjykata e Apelit.

“Në takim ndër të tjera u diskutua trajtimi i problematikave rreth marrëdhënies së punës. Po ashtu u diskutua, për çështjet me interes të përbashkët, që ndërlidhen me punët e të dy institucioneve”, thuhet në njoftim.

Por, nuk dihet nëse ky takim ndërmjet Totajt e Nikçit ishte rastësor apo për të ndikuar në vendim, pasi ky i fundit ka një lëndë pikërisht në Gjykatën e Apelit, shkruan Gazeta Insajderi.

Për çka bëhet fjalë?

Me propozim të Ministrisë së Financave, në Qeverinë e Kosovës ishte votuar Hekuran Nikçi për Kryeinspektor të Inspektoratit të Punës.

Ky vendim i Qeverisë ishte bërë në kundërshtim me ligjin, meqë për pozitën në fjalë duhej organizimi i konkursit.

Si rezultat i kësaj, në korrik, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës pas një monitorimi të jashtëzakonshëm duke u bazuar në shkresat e rastit ka kërkuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës që të kthejë mbrapsht vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Hekuran Nikçit si Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.

Kjo pasi që një pozitë e tillë hynë në kuadër të pozitave të larta të Shërbimit Civil dhe si e tillë i nënshtrohet rendit juridik për Zyrtarët Publik. Bazuar në këtë, vendimi i Qeverisë së Kosovës për të emëruar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës pa procedura rekrutuese është shkelje e Ligjit për Zyrtarë Publik.

Kundër këtij vendimi, kishte bërë ankesë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka refuzuar ankesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, por kjo ministri nuk është ndalur dhe ka bërë tash ankesë në Gjykatën e Apelit.

Dhe, pikërisht në këtë të fundit ka shkuar për vizitë Kryeinspektori që sipas Ligjit është zgjedhur kundërligjëm në këtë pozitë.