Abelard Tahiri

Tahiri për vendimin e Kushtetueses: Konfirmoi pretendimet tona ndaj Ligjit për KPMSHCK-në

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri është shprehur se vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese i ka konfirmuar të gjitha pretendimet tona se Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës në Shërbimin Civil të Kosovës, sipas tij, kishte për qëllim kapjen dhe nënshtrimin e administratës, si dhe legjitimimin e emërimeve dhe shkarkimeve të paligjshme brenda saj.

Ai përmes një shkrimi në Facebook është shprehur se ndihet i lumtur që si grup parlamentar, siç tha ai, kanë qëndruar në krye të detyrës për ta mbrojtur shtetin.

“Jam i lumtur që si grup parlamentar kemi qëndruar në krye të detyrës për ta mbrojtur shtetin, administratën publike, të drejtat dhe liritë e qytetarëve përballë tentimeve të dështuara për të shkatërruar vlerat dhe parimet e demokracisë tonë kushtetuese të ndërtuara me shumë mund dhe sakrifica”, është shprehur Tahiri.