Tahiri: PDK nuk do të lejojë përkeqësimin e mëtejmë të raporteve me Amerikën

Ministri i Drejtësisë, njëherësh edhe anëtari i kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se taksa në një formë, apo në një tjetër, ka goditur raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tahiri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se kryetari i PDK-së e ka bërë të ditur se taksa nuk e dërgon vendin në zgjedhje.

“Vendosja e taksës ka qenë vendim unik i partnerëve të koalicionit qeverisës, por nuk ka qenë i koordinuar me miqtë tonë ndërkombëtarë, pasi është vënë karshi një shteti që nuk ka qenë miqësor ndaj Kosovës”.

Anëtari i kryesisë së PDK-së ka thënë se ajo që është e ndjeshme në këtë rast, është prekja e raporteve me SHBA-në.

“Kemi pasur kërkesa dhe vizita të vazhdueshme nga zyrtarët e SHBA, që kanë kërkuar heqjen apo pezullimin e taksës për një periudhë të caktuar”, tha Tahiri.

Tahiri ka thënë se duhet të jemi shumë të kujdesshëm në raportet me Amerikën, pasi, sipas tij, këto relacione janë ndërtuar prej tri dekadash dhe shtetësia jonë ka ecur përpara vetëm falë mbështetjes nga ky vend.

“Ne [PDK] e kemi bërë të qartë se duhet një koordinim i afërt me Amerikën. Ne si koalicion nuk duhet të marrim përsipër një përkeqësim të raporteve me partnerin tonë më të rëndësishëm”.

“… Nëse relacionet tona me Amerikën çahen edhe më tej, duhet të shohim çfarë drejtimi po merr shteti ynë”.

Tahiri ka thënë se partnerët e koalicionit duhet të reflektojnë në ruajtjen e raporteve me SHBA-në.

“Nuk do të lejojmë përkeqësimin e mëtejshëm të relacioneve me Amerikën. Nuk shoh që zgjedhjet janë afër. Do të ketë një reflektim nga partnerët e koalicionit”, tha Tahiri.