Tahiri mirëpret marrëveshjet Kosovë-Shqipëri: Bashkë e pa kufi, për Bashkitë dhe Komunat tona

Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se në mbledhjen e dy qeverive që është duke vazhduar në Tiranë, do të nënshkruhen trembëdhjetë marrëveshje dhe protokolle me rëndësi ndër-shtetërore.

Tahiri përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se që ngritin bashkëpunimin në nivel praktik në funksion të edukimit, kulturës, zhvillimit, integrimit dhe në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve.

“Këto marrëveshje duke eliminuar barrierat, janë hapa kyç për lidhjen mes njerëzve, qyteteve dhe shteteve, duke u bërë bashkë e pa pengesa, pa kufizime, bashkë pa kufi. Një hapë që shkrin, jo vetëm barrierat kufitare, por secilën pengesë e kufizim që ndanë dy shtetet e një kombi”, ka shkruar Tahiri. Tahiri ka thënë se në këtë mbledhje është dhënë zotimi që të hedhen hapat e parë të koordinimit nëpërmjet organizimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale.

“Në këtë mbledhje u dha zotimi që bashkërisht të hedhim hapat e parë të koordinimit, nëpërmjet organizimit të Kongresit të Autoriteteve Lokale, platformë kjo që do të identifikojë fushat e bashkëpunimit dhe intensifikojë komunikimin në mes Bashkive në Republikën e Shqipërisë dhe Komunave në Republikën e Kosovës”, është shprehur Tahiri.

Sipas tij, ky koordinim ka për synim të zgjerohet edhe në nivele tjera përveç aspektit institucional “Ky lloj koordinimi, përveç aspektit institucional, ka për synim të zgjerohet në nivel kulturor, social dhe ekonomik, duke krijuar hapësirë dhe mundësi të njohjes e bashkëpunimit në një rrafsh më praktik, duke u bërë bashkë e pa kufi, për qytetarët dhe qytetet tona”, ka përfunduar Tahiri.