Tahiri: Më 11-12 dhjetor Komisioni i Venecias miraton opinionin për Projektligjin për Qeverinë

Në mes të dhjetorit, Komisioni i Venecias pritet të miratojë opinionin për Projektligjin për Qeverinë e Kosovës, ka bërë të ditur zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, pas seancës së parë me këtë komision për të diskutuar për këtë çështje.

Zyrtarë qeveritarë kishin thënë në gusht se kanë dërguar në këtë komision çështjen e projektligjit dhe se presin që në tetor të marrin përgjigje. Megjithatë, në tetor Komisioni kishte përgënjeshtruar Qeverinë duke thënë se s’kishte marrë ende ligjin në fjalë. Në njoftimin e Komisionit bëhet e ditur se kërkesa e Kosovës për këtë ligj është bërë më 26 tetor.

Tani, të martën, Tahiri ka shkruar në Facebook se temë kryesore e takimit me Komisionin e Venecias ishte përcaktimi i numrit të ministrive në ligj dhe kufizimet e kompetencave të Qeverisë në dorëheqje.

“Më 11-12 dhjetor 2020 do të mbahet sesioni i 125-të plenar i Komisionit të Venedikut ku pritet të miratohet Opinioni për këtë projektligj të rëndësishëm për sistemin tonë juridik”, ka thënë ai.