Tahiri: Ligji për Qeverinë parasheh 15 ministri e 40 zëvendësministra, brenda dy javësh votohet në Qeveri

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri në një konferencë për media ka thënë se ka përfunduar konsultimi për Projektligjin për Qeverinë.

Në këtë projektligj, Tahiri tha se Qeveria do t’i ketë 15 ministri dhe vetëm 40 zëvendësministra.

Tahiri ka thënë se konsultimet me ambasada dhe me organizata të ndryshme kanë përfunduar, teksa ka thënë se janë pranuar 120 komente specifike.

“Nga data 7 deri më 29 kemi pasur ligjin për qeverinë që për neve është shumë i rëndësishëm dhe sipas nesh ka dal shumë i suksesshëm ku kemi marrë mbështetje nga shumë organizata dhe ambasada, në mënyrë që të përfshihen sa më shumë komente dhe sugjerime për këtë ligj shumë të rëndësishëm. Numri i të gjithë komenteve nuk dihen saktë sepse kanë vazhduar të vijnë por që numri i komenteve është Komentet nga konsultimi publik lidhet me numrin e ministrive, ne kemi parë më ligj që të kemi 15 ministri, pastaj zëvendëskryeministrat kemi 120 komente specifike”, tha ai.

“Komentet kryesisht lidhen me numrin e ministrive, pra ne i kemi paraparë me ligj që të kemi 15 ministri dhe që t’i jepet secilit mandatar një diskrecion që t’i ketë edhe dy. Kërkesa vazhdon që numri të zvogëlohet, pastaj te zëvendëskryeministrat ne i kemi paraparë që të jenë tre dhe të gjithë të jenë me protofolio”, tha Tahiri.

“Një temë e rëndësishme ka qenë me nenin 96.2. Ka qenë diskutabile se a mund të vendosim tavan në ligj dhe a është kjo kundër Gjykatës Kushtetuese dhe unë atë kohë kam thënë se pa e vendosur një tavan, ligji do të jetë jo shumë i nevojshëm”, u shpreh Tahiri.

Numri dy në Qeveri u shpreh se brenda dy javëve do të shkojë në Qeveri për miratim.

“Në konsultim me të gjithë, neve na duhet së paku dy javë që këto nene e këto komente t’i studiojmë në grupet punuese në Qeveri. T’i fusim në ligj ato që mendojmë të sakta dhe ndërkohë e kemi edhe harmonizimin e këtij ligji me direktiva dhe kërkesat e procesit të integrimit evropian dhe do të thotë se pas dy javësh të shkojë në Qeveri për miratim”, u shpreh ai.

Ndërkaq për numrin e zëvendësministrave, Tahiri është shprehur se me ligjin e ri do të jenë 40 por që do të vendoset se në cilat dikastere do të ketë më shumë.

“Ka qenë një temë shumë diskutabile çështja e zëvendësministrave. Ne në ligj kemi përcaktuar që qeveria të ketë deri në 40 zëvendësministra”, u shpreh ai.