Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, kritikuar ashpër kryeministrit Albin Kurti, i cili sot ka refuzuar t’iu përgjigjur pyetjeve parlamentare të deputetëve të opozitës.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se një veprim i tillë është një sulm direkt ndaj demokracisë parlamentare në Kosovë.

Sipas tij, një veprim i tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë në Kosovë.

“Pyetja parlamentare është një nga instrumentet e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili e shfrytëzon për llogaridhënie nga Qeveria, nga kryeministri, ministrat, zëvendësministrat e kështu me radhë. Sjellja sot e kryeministrit të Republikës së Kosovës ishte një sulm direkt ndaj demokracisë parlamentare në vendin tonë, Nuk ka ndodhur asnjëherë, është e paprecedentë. Nuk e keni asnjë rast të vetëm kur kryeministri del dhe ju thotë deputetëve që unë kam vendosur mos të ju përgjigjem deri në momentin kur ju do ta bëni një veprim tjetër”, ka thënë Tahiri.

Deputeti i PDK-së ka thënë se kjo tregon se Kosova ka një kryeministër të papërgjegjshëm.

“Në anën tjetër ju e shihni se dështimet në këtë vend janë të mëdha, janë kolosale. Ju e shihni skamjen, mjerimin dhe krizën ekonomike që e ka kapluar vendin. Problemi më i madh është se e kemi një kryeministër të padijshëm dhe papërgjegjshëm”, është shprehur ai.