Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka akuzuar Qeverinë se përmes Kuvendit po tenton të ushtrojë kontroll autoritar dhe t’i kapi mediat, gjyqësorin dhe administratën publike.

Në një shkrim në Facebook të enjten, Tahiri ka thënë se s’kanë mundur të qëndrojnë në seancë gjatë ditës së sotme pasi po tentohej të kaloheshin tri projektligje “që rrezikojnë lirinë e mediave, pavarësinë e gjyqësorit dhe sigurinë juridike të zyrtarëve publikë”.

“Ne nuk mund të bëhemi palë të kësaj qeverie që, përmes Kuvendit të Kosovës, orvatet të ushtrojë kontroll autoritar, t’i frikësojë dhe t’i kap mediat, gjyqësorin dhe administratën publike”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Për këto tri projektligje pati kritika edhe nga Bashkimi Evropian. BE-ja ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e tyre.

Opozita lëshoi seancën e sotme të Kuvendit pasi nuk kaluan propozimet për tërheqje nga rendi i ditës i tri projektligjeve.