Tahiri i AAK-së: Qeveria të merret me sigurimin e vaksinave, në dialog me Serbinë kompromisi i vetëm duhet të jetë njohja reciproke

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka deklaruar se të hënën do të ketë debat parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19.

“E mbajtëm mbledhjen e Kryesisë, një ndër temat ishte edhe debati parlamentar rreth menaxhimit të pandemisë dhe vonesës së vaksinave. U mor vendim që të hënën do të ketë seancë të Kuvendit ku do të diskutohet për këtë temë”, tha Tahiri.

Ai theksoi se si grup parlamentar kërkojnë që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia të raportoj fillimisht në Komisionin për Shëndetësi.

“Ne si grup parlamentar edhe gjatë vikendit por edhe dje kemi kërkuar që ministri Vitia të ketë raportim në Komisionin për Shëndetësi. Kërkojmë që një raportim i tillë të ndodh sa më shpejtë si parapërgatitje e një debati në seancën e Kuvendit”, u shpreh Tahiri.

I pyetur rreth letrës së presidentit amerikan Joe Biden dërguar presidentes Vjosa Osmani, ku përmenden kompromise për çështjen e dialogut me Serbinë, Tahiri u shpreh se si shtet nuk kemi çka bëjmë kompromise tjera përveç njohjes.

“Çështja e dialogut është çështje e Qeverisë. Kërkesa jonë e vetme është që qeveria të merret me menaxhimin e pandemisë dhe sigurimin e vaksinave. Sa i përket dialogut Qeveria duhet të ketë platformë politike rreth kësaj teme, sa i përket kompromiseve, kompromiset kanë ndodh në procesin e Ahttisarit në procese tjera, nuk kemi çka bëjmë kompromise tjera përveç njohjes reciproke”, tha Tahiri.