Tahiri: Aksioni për kthimin e qytetarëve nga Siria zgjati 6 muaj, vështirësia e madhe ishte kthimi i nëntë jetimëve

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në RTV Dukagjini, për herë të parë ka folur për detajet rreth aksionit të kthimit të 110 kosovarëve nga Siria.

Tahiri ka thënë se numri i qytetarëve kosovarë të kthyer në Kosovë para aksionit të 19 prillit ka qenë më i madh se sa në aksionin e marrë nga shteti i Kosovës.

“Ata janë kthyer në forma të ndryshme. Disa nga ta kanë rënë në duart e Interpolit, disa të tjera kanë rënë në dorë të forcave turke, e të tjerë janë kthyer nga tmerri që kanë përjetuar në zonat e luftës”.

“…Numri i të kthyerve para 19 prillit është diku 135. Ata janë kthyer pa ndonjë organizim, por dikush mund të jetë ndihmuar nga shteti i Kosovës. Llogaritet se rreth 60 kosovarë që ne mendojmë se janë gjallë, janë ende në zonat e luftës. Një pjesë e tyre janë kapur nga regjimi i Asadit, ndërsa ka edhe gra që kanë mbetur ende atje”.

Ministri i Drejtësisë ka thënë se disa detaje nuk mund të bëhen publike për të ruajtur jetën e atyre që kanë mbetur atje.

“Ne kemi filluar aksionin në muajin tetor të vitit të kaluar. AKI, Ministria e Drejtësisë, Policia e Kosovës nuk e ka pasur të qartë fotografinë. Kemi punuar për të kuptuar sa prej tyre janë të burgosur, sa janë robër lufte, sa gra e sa fëmijë. Mund të them se AKI dhe Policia kanë bërë një punë të shkëlqyer. Tash ne e kemi profilin e qartë për secilin që gjendet në zonat e luftës”, tha ai.

Tahiri ka thënë se deri më tani 63 persona në Kosovë janë dënuar për terrorizëm.

Ai ka thënë se nga operacioni i shtetit të Kosovës në Siri ka qenë një problem shumë i madh kthimi i nëntë jetimëve, që u janë vrarë te dy prindërit në Siri.

“Këto tri javët e fundit personalisht kam pasur trauma. Ka qenë një situatë ku kemi pasur përgjegjësi të madhe. Vështirësia e madhe ka qenë kthimi i nëntë jetimëve pa asnjërin prind. Na u paraqit një vështirësi e madhe pasi nuk kishin as dokumente identifikimi. Nuk donim të merrnim në avion fëmijë që nuk ishin të Kosovës”, tha ndër të tjera Abelard Tahiri.