Tadiq e quan katastrofal Vuçiqin: Nuk e kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës në OKB

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka thënë se fjalimi i presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka qenë “lëshim katastrofik”.  Tadiq doli me këtë konstatim meqë Vuçiq “nuk ka theksuar qartë se anëtarësimi i Kosovës në OKB është i papranueshëm për Serbinë”.

Ai tha se është dashur të thotë që Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në OKB kur në diskurs është futur sërish modeli i dy Gjermanive për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi.

“Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme tani që tema e të ashtuquajturit modeli i dy Gjermani, si zgjidhje për Kosovën, po ngrihet sërish në bashkësinë ndërkombëtare. Sa herë që përmendet ai model, duhet pasur parasysh se në atë kohë të dyja Gjermanitë ishin anëtare të OKB-së”, tha Tadiq për të përjavshmen NIN.

Sipas tij, “është e vështirë të besohet se është një gabim amator, për fat të keq, një gabim i tillë duket më shumë si një derë e hapur qëllimisht për shumë njerëz në botë sot”.

Tadiq tha gjithashtu se qytetarët e Serbisë “në zhurmën e gënjeshtrave të përditshme” nuk mund të dëgjojnë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) “asnjëherë nuk ka marrë një vendim se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, por përdori një lojë fjalësh për të shmangur një përgjigje për pyetjen e parashtruar”.

“Gjykata pohoi se shpallja e pavarësisë nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare thjesht sepse ajo u miratua nga ata që nuk ishin faktor në të drejtën ndërkombëtare. Shqiptarët në përputhje me interesat e tyre gjatë gjithë kohës insistojnë në pjesën e përgjigjes që thotë se “nuk është shkelje e së drejtës ndërkombëtare” dhe që nga ardhja e Partisë Progresive Serbe në pushtet, Serbia nuk arrin të insistojë që thuhet gjithashtu se nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, ka theksuar Tadiq.

Ai deklaroi se “Vuçiq dhe regjimi i tij gjatë gjithë kohës e përkrahin interpretimin shqip duke sulmuar ish-qeverinë” për këtë çështje.