Tomas Szunyog

Szunyog: Kosova ta heqë sa më shpejt ndalimin e produkteve serbe

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, ka thënë se pothuajse 80 për qind e investimeve të drejtpërdrejta të huaja në Kosovë janë të fokusuara në paluajtshmëri.

Ai ka thënë se zbatimi i zhvillimit dhe investimeve të qëndrueshme është diçka e domosdoshme sidomos për shkak të ikjes së trurit.

Ka shtuar se  pagat në sektorin privat po rriten, porse sipas tij, fuqia punëtore është tema që ngritët në takimet bilaterale.

“Pagat më të larta nuk janë të mjaftueshme, ndërkohë që njerëzit me shkathtësi duan të punojnë në vendet që janë më të zhvilluara. Duhet të përqendroheni në aftësitë tuaja. Zhvillimi i sektorit privat dhe rritja e qëndrueshme ekonomike është parakusht për përparim në pjesë të tjera të shoqërisë. BE-ja është donatori më i madh i Kosovës dhe ka vënë në dispozicion asistencën financiare që Kosova të bëhet më garuese, të jetë tërheqës për investime dhe të ofrojë më shumë vende të punës. Si reagim, Kosova duhet të përkujdeset për investitorët e vet”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova duhet të punojë nga afër me fqinjët e saj.

“Kosova dhe partnerët e tjerë në rajon mund të kenë dobi të madhe nga plani i zhvillimit. Për Kosovën dhe Serbinë do të ketë disa kushte shtesë, në mënyrë që të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve. Në këtë drejtim, lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve paraqitet shumë në planin zhvillimor. Kështu që inkurajojmë Kosovën që ta heqë ndalimin e produkteve serbe sa më shpejtë që është e mundshme”, ka thënë ai.

Për klimën e investimeve, ai ka thënë se nevojitet përkujdesje për investitorët në Kosovë.

Ai ka thënë se BE-ja është duke ndihmuar përmes projekteve IPA dhe përmes programit të tregut të përbashkët.

“Jemi të lumtur të shohim ratifikimin e programit të tregut të përbashkët nga Kuvendi, së bashku me marrëveshjet tjera ndërkombëtare. Programi jep mundësi të jashtëzakonshme për fuqizimin e qeverisë së tregjeve të brendshme, mbështetjen e konkurrenshmërisë dhe mbështetjen e ndërmarrjeve”, ka thënë ai.

Szunyog ka deklaruar se plani i ri për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor do t’i sjellë partnerët, përfshirë Kosovën, më afër tregut të vetëm ekonomik.

Ai ka thënë se shtyllat e këtij plani janë integrimi ekonomik, përmirësimi i tregut ekonomik përmes rregullave dhe standardeve të BE-së, reforma thelbësore për anëtarësim në BE.