Sylë Tahirsylaj tregon motin për ditët e ardhshme, bien temperaturat

Pas një jave me pak të reshura dhe disa ditë të ngrohta, vendi ynë është përballur me temperatura të ulëta në ditët e vikendit.

Për të mësuar se si pritet të jetë moti në ditët e ardhshme, Ballkani.info ka kontaktuar me profesorin, njëherish eksperit e meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj.

Ai ka thënë se vendi ynë do të vazhdojë të ketë ndikim nga masat atmosferikë të pjesës veriore dhe verilindore të rajonit.

“Masat verilindore sjellin më shumë lagështi dhe janë masa më të ftohta. Sa herë që vijnë nga ajo pjesë e globit, shkaktojnë ndryshimet të kushteve të motit, reshje dhe ulje të temperaturave”, ka thënë Tahirsylaj.

Tutje, ai ka thënë se në ditët në vijim do të ketë mot më të ftohtë se në ditët e kaluara, ku temperaturat minimale do të sillen prej 10-12 gradë celcius, kurse ato më të lartat nga 22-25 gradë celcius nga fundi i javës.

“Kjo javë, deri më datën 7 Qershor nuk do të ketë mot stabil, pra do të ketë reshje, shkarkime atmosferike dhe në disa vende mund të ketë edhe breshër”, ka thënë Tahirsylaj për Ballkani.info.

Megjithatë, ai ka shtuar se këto reshje nuk do të jenë intensive, pra nuk do të shkaktojnë probleme, përkundrazi ka thënë se kanë anët e tyre pozitive për kushtet hibride të tokës dhe akumulimin e ujit nga liqenet akumuluese në Kosovë. /Ballkani.info