Sylë Tahirsylaj “na dëshpëron”, tregon se edhe sa ditë do të kemi shi në Kosovë

Sot në Kosovë kanë filluar sërish të reshurat e shiut, mot ky që e ka përcjellur vendin tonë edhe në ditët e kaluara.

Eksperti dhe profesori i Meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj, ka thënë se moti i destabilizuar do të vazhdojë deri në javën tjetër.

“Të reshurat e shiut dhe moti jo stabil do të vazhdojnë deri javën tjetër, përafërsisht deri në ditën e mërkurë të javës së ardhshme”, ka thënë Tahirsylaj për Ballkani.info.

Në anën tjetër, ai ka deklaruar se të reshurat e shiut kanë pasur edhe anën e tyre pozitive, duke thënë se një gjë e tillë ka qenë e nevojshme.

“Duke marrë parasysh se niveli i ujit tek liqenet dhe lumenjtë e Kosovës ka rënë gjatë periudhës së fundit, reshjet e shiut e kanë ndihmuar stabilizimin e nivelit të ujërave”, ka thënë Tahirsylaj.

Në fund, Tahirsylaj ka thënë se pas ditës së mërkurë të javës së ardhshme, moti do të përmirësohet dhe do të ngriten temperaturat. /Ballkani.info