Sylë Hoxha: Nuk merrem me akuzat e familjes Dehari. Dhurata Hoxha nuk përgjigjet në telefon

Familja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari ka akuzuar gjatë ditës së sotme kryeprokurorin e atëhershëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha dhe ministren e atëhershme të Drejtësisë, Dhurata Hoxha, për vdekjen e birit të tij.

Pas marrjes së raportit së ekspertizës nga Instituti Zviceran i Llozanës, babai i tij, Avniu ka thënë se përgjegjës për vrasjen e tij janë këta të fundit, dhe se në bazë të këtij raporti bëhet fjalë për vrasje, e jo vetëvrasje.Në lidhje me këtë për KosovaPress, tashmë prokurori special Sylë Hoxha ka thënë se nuk merret me akuza të tilla.

“Për këtë ju duhet t’i drejtoheni prokurorisë së Prizrenit. Aty ku ishin familja Dehari sot. Nuk komentoj unë akuza të tilla, nuk kam se çfarë, janë gjykatat për këtë gjë”, ka thënë ai.

Për këtë është telefonuar edhe ministrja e atëhershme e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, mirëpo kjo e fundit nuk ka qenë e qasshme.

Ndryshe, familja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari ka pranuar sot raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, ku sipas këtij raporti Astrit Dehari është vrarë.Babai i Astritit, Avni Dehari ka thënë se sipas raportit bëhet fjalë për vrasje dhe jo vetëvrasje, siç ishte thënë. Mes tjerash ka kërkuar edhe që të fillojnë hetimet dhe të kërkohet përgjegjësi për të gjithë ata që sipas tij kanë marrë pjesë në vrasjen e djalit të tij.

loading…