Syla: Përveç Kica-Xhelilit, flitet që edhe 5 të tjerë nga partia Guxo do t’i bashkohen LDK-së

Gazetari Valon Syla ka folur për zhvillimet e ditëve të fundit që ndodhën në partitë politike kosovare, ku e fundit është aderimi i deputetes Doarsa Kica-Xhelili në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Syla në emisionin ‘Pressing’ në T7 tha se përveç Kica-Xhelilit, flitet që edhe 5 të tjerë do t’i bashkohen LDK-së nga partia Guxo.

“Doarsa nuk është e vetmja që do të kalojë, ka edhe tjerë, njerëzit e LDK-së besojnë që bashkë me Doarsën janë edhe 5 persona të tjerë që do t’i bashkohen nga Lista Guxo”, tha ai.

Mes tjerash, Syla përmendi edhe për lëvizjet që po fliten të ndodhin nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ajo çka po bisedohet në VV se do të ketë lëvizje të njerëzve, dalje si psh. Haki Abazi është i pakënaqur, flitet që ai do të tërhiqet nga VV-ja. Pakënaqësi ka edhe te Glauk Konjufca, i cili haptazi edhe opozitës ju thotë se nuk jam i informuar me atë se çfarë po bën qeveria. Glauku si kryetar i parlamentit nuk ndihet i mirë informuar me agjendat e qeverisë dhe shpeshherë e kemi parë Glaukun edhe duke votuar kundër iniciativave të Qeverisë, pastaj vizita e tij në Hagë e disa lëvizje të tjera, ai duket se e luan rolin më shumë si një president. Ka pakënaqësi te ai sepse e kanë lënë në terr informativ me agjenda të qeverisë”, tha ai.