Sindikata

Syla: Kushtetuesja të marrë vendim për Ligjin për paga më së largu në fund të janarit

Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim përfundimtar për Ligjin për pagat të paktën deri në fund të janarit.

Ai thotë se greva e mbajtur sot nuk kishte të bënte me vendimin e Kushtetueses për të pezulluar ligjin.

“Kjo grevë ka qenë paralajmëruese dhe ishte vendosur para se të merrej vendimi i Kushtetueses. Nuk e kemi menduar se kjo do të ndodhë, kemi menduar se Gjykata do të pretë dokumente shtesë nga Qeveria, por vetëm pas 5 ditëve Ligji për paga është pezulluar”, ka thënë Syla.

Ai tutje ka thënë se shumica e mjekëve e kanë mbështetur grevën, por sigurisht se ka edhe prej tyre që nuk pajtohen.

“Një pjesë e kirurgëve nuk janë pajtuar. Në asnjë grevë nuk mund të pajtohen të gjithë. Megjithatë, këto janë çështje të brendshme të shëndetësisë. Pothuajse të gjithë punëtorët shëndetësorë i janë përgjigjur kësaj greve”, u shpreha ai.

Sipas tij rastet urgjente janë trajtuar edhe sot, përkundër grevës, derisa thekson se nuk e kanë bërë keqpërdorime edhe nëse kishin familjarë të tyre.

“Axha im ka pasur të bëjë rrezatim, dhe ai sot nuk e ka bërë rrezatimin pasi është vërtetuar se ai mund të pretë deri të hënën prandaj nuk e kemi keqpërdorur situatën asnjëherë. Rastet urgjente kanë marrë trajtim. Nuk është rrezikuar jeta e tyre nëse u është shtyrë për një ditë marrja e terapisë”, ka thënë Syla.

Sipas tij Avokati i Popullit ka bërë disa ankesa që nuk kanë qenë të bazuara mirë.

“Ai nuk i ka dëgjuar mbi 70 mijë punëtorë. Avokati i Popullit i ka kërkuar masë të përkohshme dhe Gjykata e ka aprovuar kjo duke cenuar interesin publik. Me këtë vendim të Gjykatës dhe të Avokatit janë atakuar 70 mijë punëtorë. Është cenuar interesi i 270 mijë familjeve. Kushtetuesja e ka ndërmarr masën e përkohshme, s’dua të them se është politike, por është joparimore. Këtu janë cenuar punëtorët, jo zyrtarët pasi ata do të marrin pagat me rritje”, u shpreh ai.

Ai ka kërkuar që një vendim final të merret deri në janar.

“Mundet të amandamentohet ky ligj, dhe Gjykata duhet të ndërmarr vendim më herët, të paktën deri nga fundi i janarit, e jo aq larg. Të lihet katër muaj në këtë gjendje kur ne s’kemi derë ku me trokit. Gjykata duhet të shqyrtojë shpejtë këtë çështje”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se përveç Albin Kurtit të Vetëvendosjes asnjë lider tjetër nuk i ka dëgjuar.

“Haradinaj nuk është përgjigjur, e as Thaçi nuk është përgjigjur. I vetmi që është përgjigjur ka qenë Albin Kurti. E as Limaj, Mustafa e Veseli nuk na kanë pranuar, me këtë të fundit që ka dhënë arsye se është në Hagë”, tha ai.

Ai ka paralajmëruar edhe masa të tjera sindikale, derisa ka theksuar se nuk do të ketë grevë, por vendimi final do të varet nga Këshilli Drejtues.

“Nuk e di se çfarë do të veprojmë më tutje pasi vendimi bëhet nga Këshilli Drejtues. Greva nuk ka kuptim të mbahet por do të ketë veprime sindikale siç janë protestat. Të gjithë ata që kanë deklaruar se Sindikatat janë vegzë e dikujt dhe duan të bëjnë kriza sociale, i siguroj se nuk është ashtu dhe këtë do ta tregojë koha”, ka thënë Syla.