Syla: Kur ka festa fetare si Nata e Madhe, Hamasi e përdorë sentimentin fetar për sulme

Gazetari Valon Syla ka folur për konfliktin në mes të Palestinës dhe Izraelit dhe pozicionin e Kosovës.

Syla në Pressing të T7 ka deklaruar se kjo mund të jetë një reagim i menduar i Hamasit i cili, sipas tij, zakonisht kur kemi festa fetare e përdorë sentimentin fetar për vëmendje botërore.

“Nëse e shohim, kjo empatia, kjo prekja e shqiptarëve, ky veprimi i fundit mund të jetë një lojë politike e Netanyahut për rritjen e tij politike, por shihet që është edhe një reagim i menduar i Hamasit i cili zakonisht kur kemi festa fetare, si Nata e Madhe, si Kadri e përdorin sentimentin fetar për ta marrë vëmendjen botërore. Sot i kemi pa CNN, BBC të gjitha mediat botërore që janë marrë pikërisht me Izrael”, tha Syla.

Tutje ai ka folur edhe për thirrjet e kosovarëve në rrjete sociale “Free Palestina”, duke e krahasuar me thirrjet e mëhershme në Facebook e Instagram për Sirinë.

Syla tha se kosovarët bëni thirrje virtuale “Save Siria”, ndërsa kur sirianët erdhën në Kosovë askush nuk i mori në strehim.

“Në rajon këtu, po shfaqet në Kosovë një sentiment si ai që ishte “Save Siria” sot po dalin “Free Palestina”, po të njëjtit ose edhe disa të shtuar. Në esencë janë parulla ose pamfletizëm politik në rrjete sociale. Keni të drejtë me i mbrojt, problemi është se thoshin “Save Siria”, e kur erdhën sirianët në Kosovë askush nuk ua qiti një gotë ujë as nuk e strehoi një sirian në shtëpi. Janë pozicione boshe të cilat lidhen me islam politik dhe majtizëm ekstremist”, tha Syla.