Swift zemëron presidentin Trump: Muzika e saj më pëlqen 25% më pak

Taylor Swift mbështeti një ditë më parë demokratët në zgjedhjet e afërta të mesit të mandatit në SHBA, por kjo sigurisht nuk e ka kënaqur aspak presidentin Donald Trump. Ky i fundit u tha gazetarëve se tani, muzika e Taylor i pëlqen 25 për qind më pak.

Më herët, këngëtarja 28-vjeçare ka qëndruar larg deklarimeve politike, por ka thënë se zhvillimet e dy viteve të fundit e kanë bërë të ndryshojë mendje. Komentet e saj më të fundit u përgëzuan nga shumëkush, por edhe ndezën reagime të ashpra mes republikanëve, transmeton tch.

Swift theu heshtjen e saj mbi politikën të dielën, duke mbështetur publikisht dy demokratë në Tennessee, vendin e saj të lindjes, dhe e bëri këtë në Instagram ku ka 112 milionë ndjekës.

“Në të shkuarën, unë hezitoja të shprehja publikisht këndvështrimet e mia politike, por për shkak të disa zhvillimeve në jetën time dhe në botë po ashtu, këto dy vite të shkuara, unë tani ndihem ndryshe”, shkruante ajo.

Në disa postime në Twitter në vitin 2012, presidenti amerikan e kishte cilësuar Swiftin si fantastike dhe e kishte falënderuar madje se kishte bërë një foto me të. Por, postimi i fundit në Twitter i këngëtares, dukshëm e ka mërzitur atë.