Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se Policia sot patrulloi për herë të parë në liqenin e Ujmanit përgjatë vijës kufitare me Serbinë.
Sveçla shkroi se kjo po ndodh për herë të parë që nga paslufta.
“Për herë të parë që nga paslufta, pas krijimit të njësitit për patrullim ujor, Policia e Kosovës sot filloi me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit. Tashmë, kontrolli i kufirit shtetëror është më i plotë. Përgëzoj Policinë e Kosovës për suksesin e radhës!”, shkroi ai.
Katër vjet më parë, andej kishte lundruar me një anije atëherë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai thoshte se pasi kishte bërë një xhiro, kishte diskutuar me disa serbë, të cilët, siç thoshte, e kishin ftuar për kafe.








