Protesta e NJSI-së

Sveçla tha se kanë nga 2,200 euro të ardhura mujore, sa paguhen realisht policët e Kosovës?

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla nëpërmjet një postimi në Facebook të mërkurën ka thënë se policët e Njësisë Speciale Intervenuese të cilët protestuan përpara ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në vitin e fundit kanë marrë mbi 2,200 euro të ardhura mujore. Ky postim i Sveçlës, është mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje që madje kanë paraqitur të grafikuara të dhënat e ministrit Sveçla.

Protesta e sotme e NJSI-së (ish-FIT) ka ngjallur reagime të mëdha në publik, përderisa është rihapur debati lidhur me shtesat e propozuara nga qeveria e Kosovës për këtë kategori të shërbyesve të shtetit, shkruan Paparaci.com.

Por, sa paguhet një polic i NJSI-së në të vërtetë sipas pagës bazë? 

Paga më e ulët në policinë e Kosovës është 210 euro, e një kadeti policor, ndërsa rritet në 472.5 për policët e rinj, e në 525 për policët.

Me të fituar gradën polic i lartë, paga e një polici shkon në 619,5 euro. Rreshteri në policinë e Kosovës paguhet 672 euro, Togeri 735, Kapiteni 777 dhe Majori 861. Nënkoloneli paguhet me 966 euro pagë bazë, Koloneli me 1,071.

Në anën tjetër, Drejtori i Departamentit në polici paguhet me 1,176 euro, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm me 1,344 euro dhe Drejtori i Përgjithshëm me 1,522,5 euro.

Paparaci.com ka kontaktuar të mërkurën në mbrëmje me Kryetarin e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri për të biseduar rreth deklarimit të ministrit Sveçla, ndërsa kryesindikalisti u shpreh se shifrat e përmendura nga Sveçla janë për shkak se policët kanë punuar me orë të gjata në muajin e fundit.

Ai ka thënë se pagesa të cilës i referohet Sveçla është bërë për policët të cilët kanë punuar me orë të stërzgjatura dhe me ditë të tëra nga 24 orë kryesisht në veri të Kosovës.

Për çfarë protestuan NJSI-ja?

Njësia më elitare e Policisë së Kosovës, Njësia Speciale Intervenuese (NJSI), e njohur si FIT sot ka protestuar para Qeverisë së Kosovës. Ata shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj Qeverisë për vendimin për shtesat e rrezikshmërisë, të marrë javën e kaluar.

Protesta e tyre ishte paqësore, derisa përmes një letre shprehin pakënaqësitë dhe kërkesat.

“Kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve. Rrezikshmëria të caktohet në 50% të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës”, janë dy kërkesat e tyre.

Çfarë pune bëjnë Njësia Speciale Intervenuese?

Njësia Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës, e njohur si FIT, është themeluar në vitin 2007, ndërkaq kryen operacione të sigurisë në raste të veçanta dhe zgjidhjen e situatave me të cilat nuk mund të përballen njësitet tjera të policisë.

Ky njësit angazhohet në rastet kur përmbushja e detyrave zyrtare të mbrojtjes së jetës dhe pasurisë paraqet rrezikshmëri tejet të lartë për rendin dhe sigurinë në përgjithësi dhe për pjesëtarët e policisë.

Njësiti ka marrë pjesë në operacione të shumta, që nga themelimi.

Operacioni i fundit i tyre ishte ai në Banjskë të Komunës së Zveçanit, pas sulmit terrorist nga një grup terrorist.

Pjesëtarët e FIT-it ishin thirrur që të merrnin nën kontroll zonën për shkak të përgatitjeve të tyre superiore.

Një tjetër operacion i FIT-it kohëve të fundit është edhe ai i arrestimeve dhe kontrolleve në veri, pas sulmit në Banjskë.

Ai që bëri bujë më të madhe ishte arrestimi i Millun Millenkoviq, i njohur si “Llune”.

Njësiti FIT kishte marrë pjesë edhe në arrestimin e ish-shefit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq në vitin 2018, kur atij i ishte ndaluar hyrja në Kosovë e që nuk e kishte përfillur.

Njësia Speciale Intervenuese shihet shumë pak në publik, gjersa edhe në daljet e rralla publike shihen të maskuar.

Ndryshe, protesta e sotme e këtij njësiti para Qeverisë së Kosovës erdhi pasi siç thanë për vite të tëra janë të pakënaqur me kushtet.

Ata kërkuan që rrezikshmëria në punë të caktohet në 50 për qind të pagës bazë.

Javën e kaluar Qeveria e Kosovës kishte propozuar shtesat për pagesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Sipas propozimit qeveritar shtesat për njësitë elitare, Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të afërt janë nga 150 euro shtesë të pagës bazë, 120 për njësitë operative K9 dhe Njësia për eksplozivët dhe deminim.

Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarët e hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj.

Ekipet reaguese dhe patrullat që njëherit përbejnë numrin me të madh të Policisë do të marrin ka 60 euro shtesë kurse Policëve që angazhohen për sigurimin e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve do të ju ndahen nga 50 dhe respektivisht 45 euro shtesë të rrezikshmërisë.