Sveçla: Siç fituam në Podujevë do të fitojmë edhe në tërë Kosovën, Veliu ishte sundues

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka folur për fitoren e djeshme të Shpejtim Bulliqit në Podujevë.

Ai tha se fitorja e VV-së në këtë komunë ishte referendum, derisa nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliun e ka quajtur sundimtar.

“Zoti Veliu ishte sundues, në zgjedhëm shërbyes për qytetarët. Po them sundues duke e pas parasysh sistemin e vjetër dhe të mentalitetit qeverisës. Pra, smund t’i quash me emër tjetër kur i sheh sa gjatë kanë qeverisur”, tha Sveçla në rtk.

Ai shtoi se qytetarët llapjanë e përqafuan konceptin e VV-së në mënyrë plebishitare.

“Ne e kishim kandidat deputetin e VV-së. Qeverisja e kaluar duke parë rezultatin dhe humbjen e zgjedhjeve, ata nxitën tensione. Edhe incidenti ishte provokim i tyre. Në panikë e sipër duke mos pasur  mundësi që të ofronin alternativë tjetër, atëherë ata zgjodhën rrugën e të fortit”, tha Sveçla duke komentuar incidentit e dy ditëve para zgjedhjeve në Podujevë.

Sipas tij, qytetari këtë qasje e dënoi me votë. “Ky rezultat reflekton disponimin edhe në tërë Kosovën. Qytetari është vetëdijesuar dhe më s’po pranon fjalë boshe, qytetari po kërkon qeverisje të drejt dhe atë VV-ja e ka premtuar”, theksoi ai.

Ish ushtrues i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme shtoi se qeverisja nëntëmujore e Bulliqit në Podujevë do të ndikojë që të merr besimin edhe për një mandat të ri katërvjeçar.

Sa i përket asaj se çfarë ndikoi në fitoren e VV-së, Sveçla tha se themeli i fitores është koncepti ndryshe i kësaj partie karshi partive tjera.

“Ka edhe një lloj hakmarrje ndaj tradhtisë që LDK-ja i bëri Podujevës. Komunën dëshirojmë t’ia kthejmë qytetarëve”, tha Sveçla.

Duke folur për sondazhet në nivel vendi, Sveçla tha se ato pasqyrojnë një rritje të VV-së ashtu siç ishte referendumi i djeshëm në Podujevë. “Ashtu do të jetë edhe në nivel vendi, prandaj partitë tjera s’po dëshirojnë zgjedhje dhe janë në panikë. Zgjedhjet janë të pashmangshëm dhe subjektet tjera s’do të duhej t’i parandalonin ato”, shtoi ai.

“Se a ka zgjedhje a jo është vendimi i Gjykatës Kushtetues që pritet tash së shpejti, sepse dihet se deputeti i dënuar votoi dhe vota e tij nuk është legjitime për këtë qeveri që e kemi”, tha Sveçla.