MBP

Sveçla: Për katër ditë u regjistruan 471 vetura në veri, atje më nuk ka kriminelë të plotfuqishëm

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se po vazhdon të rritet numri i qytetarëve serb që po kthejnë targat e veturave në RKS.

Përmes një shënimi në Facebook ai thotë se tashmë numri i veturave të konvertuara ka shkuara në 471.

“Qytetarët tanë i janë përgjigjur pozitivisht vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për regjistrimin e veturave nga targat ilegale në targa RKS, duke regjistruar 471 vetura për 4 ditë. Kjo pasi që sot në veri nuk janë më të plotfuqishëm kriminelët si Milan Radojçiq, Llune, Mami, Rusi e të ngjashëm”.

Sveçla thotë se mund të duket e paimagjinueshme, por sipas tij sot policët në veri janë në shërbim të rendit dhe ligjit.

“Mund të duket e paimagjinueshme nga perspektiva e para një viti, por sot në 4 komunat e veriut shërbejnë zyrtarë policorë që janë në shërbim të rendit dhe ligjit e në luftim të kontrabandës, grupeve kriminale e terroriste”.

“Se shumica ishin vetë pjesë e krimit e kontrabandës tregon edhe përfshirja e ish-zyrtarëve policorë jo vetëm në rastin e Banjskës”, vijon tutje Sveçla.

Ai thotë se shteti nuk do të gjunjëzohet nga grupet kriminale.

“Shteti nuk gjunjëzohet nga banditët e as nga grupet kriminale edhe atëherë kur grupe të mirëorganizuara e mbështetura nga Qeveria e Serbisë synojnë terrorizimin e qytetarëve, cënimin e integritetit dhe sovranitetit të vendit tonë”.

“Ky rezultat është falë angazhimit të pandalshëm të secilit që nuk dorëzohet përballë kërcënimeve, shantazheve e sulmeve por besojnë në drejtësi e barazi”, ka shtuar tutje Sveçla.